Platforma e Dialogut bën bashkë liderët dhe negociatorët

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka mbledhur sot në një takim presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe anëtarët e Delegacionit Shtetëror, Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj dhe Visar Ymeri.

Sipas një njoftimi nga Kuvendi në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të Dialogut, me theks të veçantë për Platformën e Dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, duhet të bëhen bashkë në mbështetje të Platformës së Dialogut, ndërkaq u theksua se uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e Dialogut”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim nuk është parë të jenë zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli dhe bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti.