Plani rregullues për objektin e FSHMN-së merr dritë të gjelbër nga Asambleja e Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e mbajtur sot, ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e hartimit të planit rregullues të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore.

Propozimvendimi për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm afër Fakultetit Teknik ku parashihet të ndërtohet i këtij fakulteti, ka marrë votat pro të 30 asamblistëve, dy nga ta votuan kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Kjo pikë e rendit të ditës kaloi me diskutime të shumta nga opozita, disa nga partitë opozitare thanë se kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka akuzuar opozitën për bllokim të këtij procesi.

Halim Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Kryetari i Komunës ka deklaruar nëpër media kinse opozita nuk po i jep votat për këtë propozimvendim.

Sipas tij, ata nuk e kanë votuar në mbledhjen paraprake sepse ky votim është i kundërligjshëm.

“Ne kemi diskutuar edhe në mbledhjen e KPF, ne kemi problem sepse kryetari e drejtoritë po dalin nëpër media duke thënë se opozita po na pengon, po na pengon LDK, ne nuk po bllokojmë asgjë, për të satën herë jemi duke e thënë, qe 5 vjet na përballemi me të njëjtat probleme për shkak se nuk kemi hartë zonale, meqë ne nuk e kemi dhe nuk dihet kur kjo hartë do të bëhet gati, është e vërtetë që FSHMN është në gjendje të rëndë dhe grupi jonë nuk është për me ndalë por ne po votojmë diçka të paligjshme për shkak se nuk ekziston harta zonale, sa herë ndahen mjetet, sa here jepen afate kohore, ngutuni bëjeni hartën zonale dhe të votojmë propozime të ligjshme, afati i fundit është për shtator, por nuk dihet edhe për atëherë”, ka thënë Halimi.

Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se votimi i kësaj pike të rendit të ditës nuk ka bazë ligjore për shkak të mungesës së hartës zonale dhe planit rregullues të Komunës së Prishtinës.

“Hartat zonale thuhet se përfundojnë në shtator, pas kësaj mbledhje ministria duhet me kthy përgjigje a është e ligjshme pastaj organizimi i diskutimit publik e pastaj edhe dy tre muaj për vendimin tjetër, jemi lodhë në Prishtinë me planifikime politike të drejtorëve, pse mos me u bë një zgjidhje afat gjata, e jo me ksi zgjidhje Ad Hock, bëjeni hartën zonale dhe zgjidheni problemin në afat të gjatë, personalisht do t’i votoj sepse bëhet fjalë për universitetin dhe në anën tjetër për disa banorë që i keni gënjyer qe disa vite, por janë propozimet e fundit që votohen pa hartë zonale”, ka thënë Azemi.

KALLXO.com ka realizuar reportazh lidhur me gjendjen e objektit në të cilin studiojnë studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore.

https://kallxo.com/video-te-besh-shkence-ne-bodrume-e-salla-me-myk/