Ilustrim - Autostrada Prishtinë - Shkup

Plani i Policisë për parandalimin e aksidenteve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Kontroll të Autostradave, ka bërë të ditur se me qëllim të parandalimit të aksidenteve në autostradën ‘Arbër Xhaferi’, ka hartuar dhe ka zbatuar një plan operativ.

PK-ja ka njoftuar se pjesëmarrësit në trafik, po rrezikojnë veten edhe të tjerët pasi që në urën mbi lumin Lepenc në këtë autostradë , për kuriozitet dhe për shkak të bukurive që ofron kjo urë, po ndalojnë me automjetet e tyre në shiritat emergjentë dhe po realizojnë fotografi.

“Policia me qëllim të shtimit të sigurisë në autostradë, gjatë tri javëve të shkuara ka shqiptuar gjithsejtë 33 tiketa në këtë lokacion: 28 tiketa ndaj shoferëve për ndalje në autostradë, 5 tiketa për lëvizjen e këmbësorëve në autostradë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia e Kosovës, ka bërë apel dhe ka kërkuar nga qytetarët në përgjithësi dhe drejtuesit e automjeteve në veçanti, që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me theks të veçantë  të mos bëjnë shkelje të rregullave të qarkullimit në autostradë sepse po rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve. Policia do të ndëshkojë të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla.