Planet e Lavdrim Muhaxherit Për t'i Sulmuar Lojtarët e Izraelit

Pas disa muajsh hetime Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzën ndaj grupit prej 9 personash të cilët pretendohet se planifikuan të sulmonin kombëtaren e Izraelit gjatë ndeshjes me Shqipërinë. Prokuroria pretendon se grupi i udhëzuar nga Lavdrim Muhaxheri kishte planifikuar blerjen e armëve e po ashtu kishin arritur të ndërtonin të paktën një bombë artizanale në Kosovë.

Sipas aktakuzës nëntë të pandehurit, V.I., B.I., L.V., F.G., K.P., A.A., L.G., L.M. dhe B.P. me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste.

Prokuroria pretendon se ka fakte se  Lavdrim Muhaxheri  përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, nëntorin e 2016-ës. Prokuroria pretendon se komunimi ishte kryer duke përdorur një aplikacion të internetit i cili supozohet se ishte i padëgjueshëm.

Dy të akuzuarit e tjerë,  A.A. dhe L.G., e kanë shfrytëzuar të njëjtin aplikacion për të komunikuar me Lavdrim Muhaxherin me qëllim që gjatë tetorit të kryenin sulme terroriste brenda Kosovës.

Prokuroria pretendon se pjesë e organizimit ishte edhe blerja e armëve për grupin me paratë e siguruara nga Lavdrim Muhaxheri

“I pandehuri L.G., ka filluar të interesohet për blerjen e armëve automatike, për të cilat brenda disa ditëve në vijim i pandehuri, Lavdrim Muhaxheri, përmes njerëzve të tij, ende të paidentifikuar, do t’ia dërgonte të pandehurit A.A shumën prej  1500 eurove”, thuhet në aktakuzë. Sipas të njëjtës grupi kishte arritur të pajiset edhe me eksploziv.

“I pandehuri V.I., është furnizuar me 283.1 gramë të eksplozivit të improvizuar triacetone triperoxide (TAPT), të cilin e ka mbajtur në bodrumin e shtëpisë së tij, e cila materie është  gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë me rastin e kontrollit”, thuhet në aktakuzë.

Grupi sipas aktakuzë kishte arritur të prodhonte eksploziv artizanal në shtëpinë e të pandehurit  K.P.,

“Në një kavanoz qelqi në punëtorinë afër shtëpisë ka mbajtur 500 gramë oksidues nitrat amonit ANFO (oxidizer ammonium nitrate) me përbërje të naftës, të cilat kur përzihen në mënyrë të duhur, formojnë eksploziv të improvizuar, të gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë me rastin e kontrollit “, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza e prokurorisë shpjegon se të pandehur të tjerë të grupit kishin qenë pjesë e konfliktit në Siri.

I pandehuri L.G., me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që më 1 nëntor 2013 është nisur nga Aeroporti i Prishtinës dhe ka ateruar në Aeroportin “Sabiha Gokçen” në Stamboll të Turqisë, e pastaj prej Turqisë në mënyrë ilegale ka kaluar në Siri ku i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste Al Nusra, duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizatës për dy javë, kurse më 17 nëntor 2013 nga Siria përsëri ka kaluar në Turqi dhe përmes Stambollit me aeroplan ka ardhur në Prishtinë.