Plagosja e Azem Vllasit, mbyllet seanca për publikun

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, i njohur si rasti “Syri i Popullit”, në seancën e sotme do dëgjohet eksperti mjeko ligjor Arsim Gërxhaliu si dhe tre ekspertë të forenzikës.

Në fillim të seancës mbrojtja e të akuzuarit Murat Jasharit, avokatja Fehmie Gashi,  kërkoi nga trupi gjykues që për pjesën ku do të dëgjohet eksperti mjeko ligjor që ka të bëjë me të akuzuarin Murat Jashari, të përjashtohet publiku dhe mediat.

“Kërkoj nga trupi gjykues që në këtë pjesë të gjykimit të largohen media dhe publiku, ku do dëgjohet eksperti mjeko ligjor Arsim Gërxhaliu, për shkak se në këtë pjesë të gjykimit do flitet për sëmundjen e klientit tim”, tha avokatja Fehmie Gashi.

Nga prokurori special Sylë Hoxha nuk pati kundërshtim për kërkesën e avokates, ai tha se pajtohet me kërkesën e saj.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica e aprovoi  kërkesën e avokates, dhe nga salla e gjykimit përjashtoi monitoruesit  e BIRN-it, ndërsa monitoruesit e EULEX-it dhe OSBE-së  i lejoi të qëndrojnë në sallën e gjykimit.

https://kallxo.com/mungesat-teknike-e-zhvendosin-ne-gjilan-gjykimin-per-plagosjen-e-azem-vllasit/

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt 2018.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.

 

https://kallxo.com/mungesat-teknike-e-zhvendosin-ne-gjilan-gjykimin-per-plagosjen-e-azem-vllasit/

.