Foto: KALLXO.com

Plagosja e Azem Vllasit, Limaj: Jam i lidhur përjetësisht me familjen e Murat Jasharit

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nuk i di arsyet se pse emri i tij gjendet në listën e organizatës “Syri i Popullit”. Kështu ka deklaruar Limaj në seancën ndaj të akuzuarëve në rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj dhe gazetari Berat Buzhala, kanë dhënë dëshmitë e tyre sot në rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi, njohur si rasti “Syri i Popullit”.

Limaj dhe Buzhala, sipas pretendimeve të Prokurorisë kanë qenë në listën e personave të cilët ishin paraparë për likuidim nga organizata “Syri i Popullit’’.

I pari që dëshmoi në cilësinë e dëshmitarit, ishte Limaj.

Ai pranoi se e njeh njërin nga të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit”.

“Muratin e dimë që është trajtuar në spital, sepse unë i kuptoj traumat. Ne jemi qenie njerëzore sepse unë e njoh familjen e tij, jam i lidhur përjetësisht me atë familje dhe e di për çka po flas. Muratin që unë e njoh kurrë se besoj që mund ta bëjë këtë gjë”, tha Limaj.

Limaj u pyet në lidhje me motivet që mund ta kishin vënë atë në listën e organizatës “Syri i Popullit”.

“Motivet ashtu siç kam dëgjuar unë është e pashpjegueshme. Pres që gjykata duke mos u ndikuar as politikisht, mbi bazë të provave të jep verdiktin e drejtësisë dhe njerëzit e pafajshëm të shkojnë në shtëpi e të tjerët t`i përgjigjen drejtësisë”, tha ai.

I pari i NISMA-s për Kosovën është ftuar të dëshmojë në rastin ku është i akuzuar Murat Jashari, vëllai i ish komandatit të parë të Fatmir Limajt në UÇK – Komandant Kumanova Ismet Jashari.

Në anën tjetër, i akuzuari Murat Jashari kërkoi të dijë nga ana e trupit gjykues së pse është thirrur, Limaj për dëshmi, pasi që ky i fundit sipas të akuzuarit Murat Jashari nuk ka qenë pjesë e listës së përpiluar nga vetë ai në vitin 2015-të.

“Albulena Haxhiun, Berat Buzhalën, Fatmir Limajn, për çka me i ftuar këta, kur nuk kanë qenë në listën që unë e kam përpiluar në vitin 2015. Edhe në listë thanë që ka qenë edhe Ibrahim Rugova, qysh e di ai ka vdekur më 21 janar 2006 e unë listën e kam bërë në 2015”, tha Jashari.

Pas Limajt, gazetari Berat Buzhala, tha se nuk e di arsyen pse është i vetmi gazetar i përfshirë në listën e organizatës “Syri i Popullit”.

“Nuk kam qenë i kërcënuar nga kjo organizatë. Pasi që ka dalë lista me një numër të madh të personave ka qenë edhe emri im aty. Realisht nuk jam interesuar, më është dukur pak qesharake pse emri im është aty”, tha Buzhala.

Ai tutje tha se për organizatën “Syri i Popullit”, ka dëgjuar vetëm pas atentatit ndaj avokatit Azem Vllasi.

I akuzuari tjetër, Sadri Ramabaja tha se gjendet në situatën e tanishme për shkak të “Klanit Pronto”.

Murat Jashari, nuk kishte ndonjë pyetje për Berat Buzhalën, por nuk la pa thënë se: “Ai [Berat Buzhala] nuk është në listë. ShIK-u e ka bërë atë listë”.

Për të ftuarin tjetër, Bajrush Morina, Prokurori Special Sylë Hoxha, propozoi që deklarata të lexohet para të pranishmëve. Arsyeja ishte se Morina nuk ishte në Kosovë dhe nuk do të kishte mundësi të vinte në seancë gjyqësore.

Një gjë të tillë e kanë kundërshtuar avokatët e të akuzuarve, pasi që të njëjtit thanë se kanë nevojë që të kenë sqarime nga Bajrush Morina.

Në listën e organizatës “Syri i Popullit”, ka qenë i ftuar në seancë gjyqësore, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore disa muaj më parë, Prokurori Special Sylë Hoxha, propozoi që edhe deklarata e Isa Mustafës (Kryetar i LDK-së) të lexohet para të pranishmëve.

Edhe kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatët e të akuzuarëve.

Në fund të seancës gjyqësore, avokati i Sadri Ramabajës, ai i Avni Llumnicës dhe Rexhep Toplanës kërkuan përsëri zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Trupi gjykues nuk e aprovoi kërkesën e avokatëve.

Seanca radhës është caktuar më 25 shkurt në të cilën do të dëgjohem tre dëshmitarë të mbrojtur.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rastin “Syri i Popullit” – LINK