Arkiv: Avokati Azem Vllasi pranohet në QKUK pas plagosjes me armë zjarri - Foto: KALLXO.com

Plagosja e Azem Vllasit, dëshmitari i mbrojtur e barti seancën në Prizren

Gjykimi për plagosjen e Azem Vllasit, mbyllet për publikun seanca e zhvendosur në Prizren, parashihej dëgjimi i dëshmitarit  të mbrojtur.

Gjykimi ndaj grupit të akuzuar për pjesëmarrje në organizatën “Syri i Popullit”, sot u zhvendos në Gjykatën e Prizrenit, ku ishte e paraparë të mbahej vetëm një seancë.

Kjo seancë ishte transferuar në Prizren, për arsye teknike tha gjyqtarja Naime Jashanica.

Në këtë seancë ishte e paraparë të dëgjohej një dëshmitar i mbrojtur, i cili ishte i propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Për këto arsye trupi gjykues mori vendim dhe e mbylli seancën për publikun, por u lejua pjesëmarrja e monitoruesve sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit që ka Këshilli Gjyqësor me organizatat që monitorojnë sistemin e Drejtësisë.

Seancat e radhës u caktuan për datat 10, 15 dhe 23 maj, që do të vazhdojnë në Gjykatën e Prishtinës.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e poashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha janë pjesë e aktakuzës që i ngarkon për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Murat Jashari poashtu akuzohet për veprën penale të hakmarrjes lidhur me plagosjen e Azem Vllasit më 12 mars të vitit 2017.

Si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor më herët ishin dëgjuar edhe Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Kadri Veseli ishte përplasur me të akuzuarin Avni Lluminca, duke i thënë të akuzuarit “more ti se njeh as parlamentin, ti se njeh as shtetin, i pa besë”.

Veseli e kishte quajtur këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës.

“Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, kishte deklaruar Veseli  në gjykatë.

Edhe presidenti Hashim Thaçi është një nga emrat të cilët u gjendën në listën e pretenduar të kësaj organizate për likuidim, e cila u zbulua pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi në mars të vitit të kaluar.

Presidenti Thaçi, gjatë dëshmisë së tij i kishte përmendur dy drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, se qëndrojnë prapa organizatës ‘Syri i Popullit’.

Në Janar të vitit 2019 edhe Fatmir Limaj  ishte paraqitur si dëshmitar, duke thënë se nuk dinte arsyet pse emri i tij gjendet në listën e organizatës “Syri i Popullit”

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Aktakuza voluminoze e Prokurorisë Speciale të Kosovës përpos që përshkruan në detaje strukturën, përbërjen, planet dhe rregullimin e organizatës “Syri i Popullit”, përmban edhe pjesën ku organizata u drejtohet me kërkesa shteteve mike të popullit shqiptar.

Gjithë veprimtaria e grupit sipas Prokurorisë filloi me një vendim të marrë më datë 15 maj 2015 sipas të cilët anëtarët e “Syrit të Popullit” me të ashtuquajturit “Avni Rrustema” diku në një shtet evropian kishin marrë vendim që marsi i vitit 2017 të shënonte fillimin e aksioneve të kundërligjshme me qëllim të destabilizimit ose shkatërrimit të strukturave themelore politike, kushtetuese dhe ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës.

Për të arritur gjithë këto plane kriminale, sipas Prokurorisë organizata “Syri i Popullit” kishte një strukturë që kishte edhe fondin e quajtur “Liria e Atdheut” ndërsa siç përshkruhet në aktakuzë organizata ka pasur edhe një strukturë të organizuar të hierarkisë të cilët janë përfshirë me emra të koduar dhe secili ka pasur të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

Kryetarja e trupit gjykues në këtë rast Naime Jashanica, bashkë me anëtarët Vesel Ismajli e Valbona Selimaj, në fillim të seancës i falënderuan palët për gatishmërinë e tyre për të ardhur deri në Gjykatën e Prizrenit, për mbajtjen e kësaj seance.