Plagosen Tre Persona në Gjilan

Tre persona janë plagosur sot më armë zjarri në Gjilan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Më datën 29 mars 2018, rreth orës 04:30, pas një mosmarrëveshje që ka ndodhur në kafenenë  “Adriatika” e cila ndodhet skaj magjistrales Gjilan- Kamenicë te vendi i quajtur “Bunari i Përlepnicës”, dyshohet se pronari i kafenesë A. M. (1975), ka nxjerrë një armë zjarri Pistoletë dhe dyshohet të ketë shtënë me armë duke i plagosur tre persona, B. L. (1984) , P. L. (1989) dhe V. A. (1993), që të gjithë shqiptarë shtetas të Kosovës, njëri nga ta punëtor në këtë lokal”, tha Hashani.

Ai shtoi se tre të plagosurit për momentin janë duke u trajtuar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan, dhe sipas raportit të mjekut janë jashtë rrezikut për jetë.

“Në vendin e ngjarjes nga Policia e Kosovës hetimet rajonale, është konfiskuar një armë Pistoletë Valter që dyshohet se është përdorur në rast. Njësitet përkatëse relevante janë duke u marrë me rastin. I dyshuari kryesor A. M. është në kërkim të policisë së Kosovës, për momentin është në arrati”, tha Hashani.

“Për rastin është informuar Prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar masën e ndalimit për 48 orë për tre persona të dyshuar dy nga ta gjenden nën përkujdesje policore në Repartet e spitalit Rajonal të Gjilanit. Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në mënyrë që të zbardhen rrethanat e këtij rasti të rëndë i cilësuar si vrasje në tentativë”, tha zëdhënësi Hashani.