Gjykimi për vrasjen në restorant "Shega", foto: KALLXO.com

Plagët që Shkaktuan Vrasjet në Restorant “Shega”

Në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj 2014 pas një mosmarrëveshje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë tash të akuzuarit Besim e Besart Istrefi, pronari i këtij lokali dhe djali i tij.

Në këtë proces i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi.

Si edhe herave tjera në sallë kishte shumë familjarë të viktimave dhe të akuzuarve të këtij procesi që shpesh kanë ditur ta tensionojnë situatën.

Eksperti Flamur Blakaj që tha se ka përvojë 21 vjeçare në ekspertiza mjeko-ligjore tha se e ka  të vështirë të japë një konkludim shumë të saktë për atë që ndodhi në “Shega”, pa e parë raportin e rikonstruksionit të vendit të ngjarjes

Megjithatë ai iu përgjigj pyetjeve të avokatëve që kërkuan sqarime për lëndimet që shkaktuan vdekjen e dy viktimave.

Eksperti tregoi se cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse për të ndjerët Naim Gërvalla dhe Lutfi Saraçi, këtë ai e bëri duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve Ali Beka, mbrojtës i të akuzuarit Besim Istrefi, Haxhi Millaku, mbrojtës i Besart Istrefit, Mentor Neziri, mbrojtës i Jeton Saraçit dhe Ramiz Krasniqi, përfaqësues i palës së Lutfi Saraçit.

“ Autopsia e Naim Gërvallës është kryer më  03.05.2014. Në raportin e autopsisë thuhet se vetëm një e shtënë ka qenë vdekjeprurëse. Mund të konstatohet se vdekja ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes masive,” ka vlerësuar eksperti Flamur Blakaj.

Ndërsa për Lutfi Saraçin, mjeko-ligjori tha seështë qëlluar nga nëntë predha të armëve të zjarrit.

“ Për të ndjerin Saraçi është konstatuar se ka pasur dëmtime nga nëntë të shtëna me armë zjarri, dy prej të cilave kanë qenë shpuese, ndërsa shtatë të tjera të tejpërtejshme. Vdekjeprurëse kanë qenë lëndimet nga  dy të shtënat shpuese,” tha eksperti.

Avokatët mbrojtës kërkuan të dinë se a ka pasur mundësi që Saraqi të ndërmarrë veprime pas plagëve që mori.

Eksperti Blakaj nuk e përjashtoi në tërësi mundësinë e veprimeve të Saraçit pas plagosjes, por tha se është pak e besueshme që Saraçi ka mundur të reagojë.

“ Kur kemi të bëjmë me dëmtimin e strukturave siç është truri është shumë e vështirë të reagojë, por edhe në literaturë thuhet se ka mundësi që të ndodhë. Në rastin konkret nga këto dy plagë kemi dëmtime të organeve vitale si zemra, mëlçia, veshka, mushkëritë dhe pas këtyre dëmtimeve është pak e besueshme që i ndjeri të këtë mundur të reagojë,” dha vlerësimin e tij Blakaj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10.03.2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim e Besart Istrefit për vrasje të rëndë. Besartin prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/dalin-para-gjykates-te-akuzuarit-per-vrasjet-te-restorant-shega/

http://kallxo.com/vrasja-ne-restorantin-shega-deshmitaret-nuk-e-pane-ngjarjen/