Plaçkitje e Armatosur e Një Dyqani në Vitomiricë

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë plaçkitur mbrëmë një dyqan në fshatin Vitomiricë të Pejës. Grabitësit kanë shtënë me armë brenda lokalit për t’i frikësuar punëtorët e dyqanit dhe për t’i detyruar t’u japin më shumë para.

Sipas Policisë Rajonale të Pejës incidenti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:30. Sulmuesit ua kanë grabitur viktimave 950 euro.

 
“Më 24.02.2016, rreth orës 20:30, ka ndodhur grabitje e armatosur nga persona të maskuar në dyqanin “Market Muriqi”. Të dyshuarit e maskuar kanë hyrë brenda dhe kanë kërcënuar viktimat (punëtorët) t’u japin para. Pas kërcënimit, viktima e parë të dyshuarve u jep shumën prej 250 eurosh, kurse të dyshuarit kanë kërcënuar sërish viktimat duke shtënë me armë zjarri brenda dyqanit për t’i frikësuar punëtorët. Pas të shtënave, viktima e dytë u jep të dyshuarve shumën prej 700 euro”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj.

Zëdhënësi i Policisë tregoi se të dyshuarit e maskuar menjëherë pasi kanë marrë paratë kanë ikur në drejtim të panjohur. Sipas Ibrajt për fat askush s’ka mbetur i lënduar nga të shtënat.

 
“Nuk ka të lënduar nga ky rast. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur një gëzhojë të kalibrit 7.65 mm. Hetuesit e Stacionit Policor të Pejës po hetojnë rastin në mënyrë intensive për identifikimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e rastit”, tha zëdhënësi Ibraj për KALLXO.com.