Pikëpamje të ndryshme rreth xhihadistëve

Ministrat e brendshëm të grupit të shtatë shteteve të industrializuara është mbledhur dje në Paris, për një takim dyditor para samitit të udhëheqësve të G7-ës.

Ministri i brendshëm francez, Christophe Castaner i cili është nikoqir i këtij takimi, ka deklaruar se ministrat kanë pikëpamje të ndryshme në mënyrën se si duhet të trajtohen xhihadistët të cilët kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak.

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, nën-sekretarja e shtetit Claire Grady, ka ritheksuar në takimin e ministrave në Paris se pozicioni i Shteteve të Bashkuara është që këta luftëtarë të huaj të kthehen në vendet e origjinës së tyre, përcjell rtv21.tv.

“Ne besojmë se xhihadistët duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës, por ne po punojmë me partnerët tonë që të sigurojmë që këta individë të vihen para drejtësisë, dhe të dënohen për krimet që kanë kryer”, ka thënë Claire Grady.

Në anën tjetër, Franca dhe shtetet tjera janë të mendimit se këta luftëtarë duhet të përballen me gjyqin në Irak.

“Shumica e vendeve anëtare të G7-ës janë në favor të gjykimit në vendet e rajonit ku po luftojnë, por diskutimi dhe qëndrimet nuk janë unanime, por të ndara në këtë çështje”, ka thënë  Christophe Castaner.

Ministrat e G7-ës kanë diskutuar edhe për luftimin e propagandës ekstremiste online, duke u takuar kështu edhe me përfaqësues të Google dhe Microsoft./21Media