FOTO: ANP "Adem Jashari"

Pezullohet greva e kontrollorëve të trafikut ajror

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë vendim për pezullimin e grevës së paralajmëruar.

Kryetar i SINKON, Zgjim Topxhiu ka thënë se ky vendim ka ardhur si pasojë e takimit të fundit me Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.

Në njoftim thuhet se pas takimit me ministrin Lekaj, Këshilli Grevist pati mundësinë që të shfaqë pakënaqësitë e tyre, rreth mos përmbushjeve së obligimeve që burojnë nga Memorandumi i Mirëkuptimit.

Andaj pas deklaratës së ministrit se do t’i respektojë të gjitha obligimet e marra, SINKON deklaron se ka vendosur ta pezullojë grevën e shpallur për datat 27 dhe 28 maj të këtij viti.

“Vendimin për pezullimin e grevës së paralajmëruar, SINKON e ndërmori pas sqarimit të munguar gjer më tani dhe rikonfimimit të zotimit nga ana e Ministrit, se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që burojnë nga MoU e nënshkruar në muajin Shkurt 2019, në mes të Ministrit të MIT dhe SINKON-it”, thuhet në njoftim.

SINKON ka paralajmëruar se do t’i vështroj nga afër të gjitha veprimet, rreth përmbushjes së obligimeve sipas afateve të mbetura.

Gjithashtu thonë se do të bëjnë një vlerësim këtij procesi në fund të muajit shtator, për të parë progresin e arritur në implementimin e marrëveshjes dhe varësisht prej progresit do t’i kanalizoj veprimet e saj.

Këshilli Grevist i SINCON-it me 20 maj kishte paralajmëruar se do të mbajë grevë, meqenëse sipas tyre, nuk kishin marrë përgjigje konkrete nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit.

https://kallxo.com/kontrolloret-ajror-i-rikthehen-greves/

.