Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Pezullohet drejtori i shkollës, dyshime për parregullsi në Testin e Maturës

Drejtori i një shkolle të mesme në Komunën e Kamenicës është pezulluar nga puna për tre muaj, me dyshimin se shkolla që ai drejton ka pasur parregullsi gjatë testit të maturës.

Dy nxënës të kësaj komune nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit të maturës por prapë kanë hyrë në procedurën e plotësimit të testit.

Këtë gjë e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në Facebook.

“Pas marrjes së raporteve për vijueshmërinë e pjesës së parë të testit, kemi konstatuar që në njërën nga shkollat e mesme të Komunës, ka dyshime për parregullsi. Dyshimet e bazuara janë që 2 fëmijë të cilët nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit, megjithatë kanë hyrë në procedure”, shkroi ai.

Kryetari Kastrati tha se janë të vendosur që dukuri të tilla “të favorizimit të padrejtë të ndalen dhe ndëshkohen në Komunën e Kamenicës”.

“Nxënësve u uroj sukses dhe fat në këtë ditë shumë të rëndësishme për ta”, shkroi tutje ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Kamenicës për të ditur më shumë se përse është pezulluar drejtori i asaj shkolle dhe për cilat arsye dy nxënësit nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit.

Pjesa e parë e testit të maturës për rajonin e Gjilanit është mbajtur javën e kaluar më 28 maj, ndërkaq që pjesa e dytë do të mbahet nesër më 5 qershor.