‘Petro Nini Luarasi’, Rruga e Re që i Shtohet Gjakovës

Rruga “Petro Nini Luarasi”, në një gjatësi prej rreth 600 metrash, do të lidhë pjesën e re të qytetit, apo lagjen “Rezina” me rrugën transite, dhe pritet ta bëjë më të lehtë qarkullimin e banorëve nga të dyja anët e lumit “Llukac”. E përpos kësaj, rruga e re do ta lidhë qytetin edhe me objektin e ri të Ngrohtores, punimet për ndërtimin e së cilit pritet të fillojnë brenda këtij viti.

Në ditën e parë të punimeve, në këtë rrugë ka qëndruar edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për komunën e Gjakovës. “Është një rrugë shumë e rëndësishme, për faktin që lidh banorët e lagjes Rezina me pjesën tjetër të qytetit, por në të njëjtën kohë është rruga që dërgon tek objekti i ri i Ngrohtores së Qytetit, pasi ndërtimi i kësaj rruge ka qenë edhe kriteri i parë për fillimin e punimeve për Ngrohtoren”, ka thënë Kusari – Lila, teksa nga afër ka uruar që banorët ta gëzojnë rrugën e re.

Për ndërtimin e kësaj rruge, komuna e Gjakovës ka siguruar pëmes Ministrisë së Infrastrukturës, një shumë prej rreth 150 mijë eurosh, me të cilat parashihet asfaltimi i rrugës dhe ndërtimi i oazave të gjelbëruara përgjatë tërë rrugës.

Por, ky nuk është investimi i vetëm që komuna e ka bërë në këtë pjesë të qytetit, pasi muaj më parë është ndërtuar edhe ura mbi lumen “Llukac”, urë në të cilën shumë shpejtë do të kalojë rruga e re.