Petrit Kryeziu: Prokuroria në Prizren nuk hedh kallëzimet penale për sasi të vogël të drogës

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” këtë javë ka trajtuar temën për luftën e policisë dhe prokurorisë ndaj drogave në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Shitja e drogës në afërsi të shkollave ishte tema e cila është trajtuar për këtë javë nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Prokuroritë në Kosovë, të cilat merren me luftimin e këtij fenomeni, po e shohin si shqetësuese këtë dukuri.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka treguar për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, se edhe në rastet kur dikush zihet me sasi të vogël të drogës, Prokuroria e Prizrenit nuk e hedh poshtë kallëzimin penal.

“Nëse i referoheni rëndësisë së vogël, për Prokurorinë Themelore në Prizren, nuk kemi asnjë rast që është hedh poshtë kallëzimi penal për shkak të rëndësisë së vogël sepse kemi të bëjmë me një dukuri në rritje dhe të shkojmë me rëndësi të vogël kjo nuk ka kuptim”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka thënë se problem më i madh qëndron në vonesat e ekspertizave laboratorike.

“Problem është me vonesat e ekspertizave laboratorike ku përcaktohet lloji ,sasia dhe përbërja e narkotikut Këto i dërgojmë në Agjencinë Forenzike të Kosovës, dhe shumica e lëndëve ku ka vonesa bëhen për shkak të këtyre vonesave të ekspertizave”, ka treguar Kryeziu.

Ai ka thënë se për këto raste ka rëndësi edhe lokacioni se ku ndodhin.

“Patjetër që po, Prokuroria gjatë hetimeve merr parasysh çdo rrethanë, rastet në afërsi të shkollave janë të kualifikuara si rrethana rënduese ku parashihen dënimet më të rënda për këto vepra penale”, ka thënë Kryeziu.

Emisionin e plotë të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mposhtëm.