Pesë të arrestuar dhe dy të arratisur për sulmin me thikë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i ka arrestuar pesë persona për therjen me thikë mbrëmë në Prishtinë, ku një person ka mbetur i lënduar rëndë.

Sipas raportit 24 orësh të PK-së, edhe dy persona të tjerë të dyshuar janë arratisur.

Policia thekson se dyshohet që për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, me qëllim hakmarrje, të dyshuarit kanë sulmuar dy viktimat me mjet të mprehtë-thikë, duke u shkaktuar lëndime trupore.

“Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, dhe sipas mjekëve njëri nga viktimat ka lëndime më të rënda trupore”, thuhet në raport.

Njësitet policore lidhur me rastin kanë konfiskuar një veturë si dëshmi, të cilën e kanë përdorur të dyshuarit.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje dhe rasti është duke u hetuar.

KALLXO.com ka kontaktuar sot edhe drejtorin e Kirurgjisë abdominale në QKUK, Ferat Sallahun, i cili ka konfirmuar se viktima nga rasti në fjalë është operuar me sukses.

“Mbrëmë e kemi operuar njërën nga viktimat, intervenimi ka përfunduar me sukses dhe tani këqyrim”, ka thënë Sallahu, duke shtuar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Incidenti me thikë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në lagjen Arbëria në kryeqytet.