Pesë Protestuesve të 18 Nëntorit u Ndërpritet Paraburgimi

Artan Abrashi, Zgjim Hyseni, Asdren Lekaj, Arbër Berisha dhe Albert Memaj, do të lirohen nesër nga paraburgimi.

Këta të pestë ishin arrestuar më 18 nëntor, ndërsa ishin në vuajtje të paraburgimit për një muaj nën dyshimin se kishin kryer veprën penale, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar”.

Caktimin e paraburgimit ndaj këtyre e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit në vendimin e datës 26 nëntor.

Prokurori, i këtij rasti edhe këtë herë ka kërkuar që ndaj të dyshuarave të caktohet masa e paraburgimit, por kjo nuk është miratuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Asdren Lekaj, tha se nuk ka pasur asnjë bazë që të mbrojturit të tij t’i caktohej paraburgimi.

“Konsideroj se arsyet mbi të cilat është caktuar masa e paraburgimit kanë pushuar ngase unë si mbrojtës i Asdren Lekajt, edhe gjyqtarit të procedurës paraprake edhe prokurorit të rastit ju kam dorëzuar CD-në ku shihet se ditën kritike, kur është arrestuar klienti im, ai fare nuk ka qenë në vendin ku dyshohet sipas shkresave të lëndës”, tha Shala.

Shala tha se edhe për të ardhmen pret që në mungesë të provave materiale të pushohet procedura ndaj të mbrojturit të tij.