Ilustrim

Pesë persona paditen pasi aplikuan për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale në luftën e fundit

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës – QKRMT përmes një komunikate për media ka kujtuar se nëntëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, më 05.02.2018 zyrtarisht ka filluar pranimi i aplikacioneve për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Përgjatë një viti të punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit për personat e dhunuar gjatë luftës, raportohet se janë dorëzuar rreth 900 kërkesa për njohjen e statusit, nga të cilat rreth 200 personave iu është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës” ndërsa rreth 100 kërkesa janë refuzuar. QKRMT si organizatë e autorizuar nga MPMS, ka përgatitur dhe dërguar në Komision 214 kërkesa, nga të cilat 41 aplikuesve ju është njohur statusi, një është refuzuar, një është në proces të rishqyrtimit, ndërsa të tjerat janë në pritje të përgjigjes. Po ashtu, 5 rasteve që iu është refuzuar kërkesa për njohjen e statusit (raste që kanë aplikuar nga mekanizmat e tjerë), QKRMT iu ka përgatitur Paditë për Gjykatë”, thekson QKRMT në komunikatë.

Në vazhdën e kontributit në procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale, në muajt e fundit QKRMT bën të ditur se ka inicuar krijimin e procedurave gjyqësore për trajtimin e Padive të palëve që iu është refuzuar njohja e statusit nga Komisioni. QKRMT vlerëson punën e Komisionit në trajtimin e kërkesave, mirëpo shpreh shqetësimin për kohëzgjatjen e trajtimit të tyre.

“Ka raste të cilat janë duke pritur për më shumë se dhjetë muaj për shqyrtimin e aplikacionit. Vonesat dhe pritjet në shqyrtimin e aplikacioneve kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të aplikantëve. Në veçanti këto pritje janë dekurajuese për të mbijetuarit që ende janë në dilemë për të aplikuar apo që nuk kanë mbështetjen e familjes për këtë proces”, vlerëson kjo organizatë. Duke folur për angazhimin e tyre pothuajse 20 vjeçar, QKRMT thotë se puna e tyre është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.

“Puna dhe kontributi i QKRMT-së përgjatë dy dekadave në mbështetje të të mbijetuarve të luftës në Kosovë, përkatësisht të mbijetuarve të dhunës seksuale është njohur dhe vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili më 23 mars 2018 Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, znj.Feride Rushiti, i ndau Çmimin prestigjioz Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme, si njohje e kontributit në trajtimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thekson kjo organizatë.