Numërimi i votave - Foto: KALLXO.com

Pesë Ankesa në PZAP për Balotazhin në Drenas

Sekretari i PZAP-së, Mulë Desku, tha për KALLXO.com se këto ankesa kanë ardhur nga dy organizatat që kanë vëzhguar balotazhin në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit të mbajtur të dielën.

“PZAP-i ka pranuar gjithsej 5 ankesa. Dy janë paraqitur me pretendime se ka pasur parregullsi gjatë ditës së votimit ndërsa tri për thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore dhe në ditën e votimit. Dy të parat i ka paraqitur NISMA ndërsa tri BIRN/Internews Kosova”, tha Desku.

Zgjedhjet e raundit të dytë në komunën e Drenasit janë mbajtur të dielën nga të cilat sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, fitues doli Ramiz Lladrovci (PDK) me 14.242 vota ose 63.81 për qind. Ndërsa rivali i tij Isa Xhemajlaj (NISMA) ka marrë 8.476 vota ose 36.19 për qind.

Në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtur më 4 dhjetor, PZAP kishte pranuar si të bazuar një ankesë nga BIRN/Internews Kosova rreth një parregullsie të evidentuar në qendrën e votimit në fshatin Gllanasellë.

Pasi kishte shqyrtuar ankesën, PZAP kishte vendosur që Kryesuesit të vendvotimit Beqir Nika, anëtarëve të të njëjtit vendvotim Ilir Nikës, Fidaije Zogajt dhe Fehmi Berishës t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje në kohëzgjatje prej tri vitesh si kandidatë dhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor të menaxhuar nën autoritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

http://kallxo.com/pzap-ndeshkon-vellain-e-bedri-nikes/