Përurohet Shtatorja e Ali Hadrit te Instituti i Historisë

Ndërtesës së Institutit të Historisë “Ali Hadri” nga sot do t’i rrijë në ballë figura e gdhendur në bronz e këtij historiani të njohur kosovar.

Shtatorja e Ali Hadrit është përuruar sot nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili duke e vlerësuar veprën akademike të Ali Hadrit, paralajmëroi ngritjen edhe të shtatoreve tjera të personaliteteve shkencore të Kosovës.

“Ne kemi obligim që jo vetëm akademik Hadrit por edhe njerëzve të tjerë t’iu ngritim shtatore siç është akademik Fehmi Agani, akademik Gazmend Zajmi, akademik Esat Stavileci  etj, të cilët do të kujtohen përmes shtatoreve dhe do të mbahet gjallë fryma e veprës dhe kontributi i tyre shkencor”, ka thënë Bajrami për KALLXO.com pas kësaj ceremonie.

Përurimi i shtatores së Ali Hadrit është bërë në 88 vjetorin e lindjes së tij.

Ali Hadri është lindur në Lushnjë të Shqipërisë në vitin 1928 ndërsa ka vdekur në Pejë më 3 mars 1987.

Por Sabit Syla, Drejtor i Institutit të Historisë e konsideron këtë përurim si veprim të ngutshëm pasi që, sipas tij, kjo shtatore do të duhej  do të duhej të përurohej vitin e ardhshëm, në 70 vjetorin e themelimit të Institutit të Historisë.

“Ne e mirëpresim inaugurimin e këtij  busti, megjithatë konsiderojmë që ka qenë më mirë të bëhet vitin e ardhshëm  që koincidon me 70 vjetorin e themelimit të institutit tonë të historisë”, vlerëson Syla.