Përurimi i shkollës së re në Pantinë - Foto: Facebook

Përurohet një Shkollë, Tahiri Premton edhe Dy të Tjera

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka marrë pjesë në përurimin e një shkolle në fshatin Pantinë.

Me këtë rast, Tahiri ka thënë se Vushtrria por edhe shteti i Kosovës mund të zhvillohen vetëm me edukim cilësor, i cili, sipas tij, është prioritet i Komunës së udhëhequr nga ai.

Sipas njoftimit të Komunës, kryetari u ka bërë thirrje prindërve që te bisedojnë me nxënësit se çfarë dhe si po mësojnë dhe për çfarëdo ankese që kanë të flasin me drejtuesit e shkollës dhe Drejtorinë komunale të Arsimit.

Në këtë përurim, Tahiri ka paralajmëruar ndërtimin e dy shkollave të tjera, njërën në Bequk e tjetrën në Stanoc të Epërm.

Shkolla e përuruar sot në Pantinë ka 13 klasë mësimi, katër kabinete të shkencave të natyrës  dhe një bibliotekë. Ajo është financuar nga të hyrat vetjake të Komunës së Vushtrrisë.

Inaugurimi është bërë pikërisht në përvjetorin e 550-të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, emrin e të cilit do ta mbajë.