FOTO KUVENDI I KOSOVES

Përsëritet konkursi për Bordin e RTK-së, asnjë kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme

Asnjëri prej dy kandidatëve shqiptarë nuk kanë arritur që të zgjedhen anëtarë në Bordin e RTK-së, në votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës.

Në garë kanë qenë Doruntina Çeku dhe Labeat Abdullahu.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në emër të Komisionit Votues për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, tha se 88 deputetë kanë marr pjesë në votim dhe 19 fletvotime janë të pavlefshme.

“Doruntina Çeku ka marr 39 vota, ndërsa Labeat Abdullahu i ka fituar 30 vota. Asnjëri kandidat nuk i ka marr votat e mjaftueshme për anëtar të Bordit të RTK-së dhe sipas udhëzimeve konkursi përsëritet”, tha Beqa.

Sipas Hajdar Beqës, konkursi përsëritet edhe për zgjedhjen e një anëtari të komunitetit serb, pasi nuk janë siguruar votat e mjaftueshme për asnjërin kandidat.

Gjithashtu, konkursi përsëritet edhe në Komisionin e Pavarur për Media, pasi asnjë kandidat nga komunitetet e tjera nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për t`u bërë anëtar i Komisionit.

Kuvendi doli në pauzë deri në orën 16:00.