Përqeshja e Kadri Veselit me Glauk Konjufcës: T'ka lëvizë autoriteti pak

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën që t’i sigurojnë votat për të kaluar në lexim të dytë Projektligjin për miniera dhe minerale edhe pse u bë një marrëveshje mes Glauk Konjufcës nga LVV dhe Memli Krasniqit nga PDK që së pari të votohet zgjatja e mandatit edhe për 30 ditë të  Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018 e pastaj opozita të qëndroj në sallë për votimin e pikave tjera të rendit të ditës.

Por, menjëherë pas votimit të zgjatjes së mandatit të komisionit hetimor për gylenistët, opozita nuk e votoi pikën e radhës të rendit të ditës gjë që nxiti reagimin e PDK-së.

Memli Krasniqi tha se është e turpshme dhe për keqardhje në të njëjtën kohë, që brenda 2 minutave u “zbulua pabesia e kësaj opozite të lodhtë”

“Këta janë mashtrues që nuk janë në gjendje dy minuta një marrëveshje me mbajt. Nuk e di qysh kanë fytyrë me lyp besimin e qytetarëve. Nuk metët keq Kuvendi pse nuk votohet Ligji për miniera e minerale sot se nuk e kanë votu që 3 – 4 muajt e fundit. Arsyeja ishte pse Glauku kërkoi që me u votu ajo (zgjatja e mandatiti të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018), që këta me marr pjesë në votim Nuk janë në gjendje për dy minuta me majt fjalën”, tha Krasniqi.

E Glauk Konjufca u arsyetua se grupi parlamentar nuk e ka dëgjuar e as opozita.

“Mund ta merrni tabelën e votave kish ka votu unë votova. Po problemi është që grupi parlamentar s’po voton. As opozita nuk po ngon qa kom faj unë”, tha ai.

E kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ironizoi me Konjufcën.

“Glauk t’ka lëviz autoriteti pak kohëve të fundit”, tha Veseli.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se nëse flitet për turp, turp është turp me mbajt pushtetin pa vullnetin e popullit me 40 deputet.

“Siguroni 61 deputetë siç e keni siguruar udhëheqjen ulësen në atë karrige ju dhe qeveria aktuale. Mos kërkoni diçka prej opozitës që nuk është në harmoni as me norma demokratike morale e as etike. Ne vendosim për çdo ligj sipas perceptimit dhe programit ton politik”, tha ai.