Përplasje Fizike në Parlamentin e Shqipërisë
Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë filloi me fjalën e kreut të opozitës, Lulzim Bashës.
Me këtë rast, ai tha se kjo është një ditë e zezë për demokracinë.
“Sot është një nga ditët më dramatike për këtë Parlament, një nga ditët më të vështira për qytetarët shqiptarë, që duan një vend demokratik ku respektohet ligji dhe Kushtetuta”, tha Basha.
Kreu i PD-së më tej shtoi se sot në dhunim flagrant të Kushtetutës, shumica kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon. “Akoma më keq, e ka të ndaluar ta prekë, e ka të ndaluar t’i afrohet. Kjo është një seancë antikushtetuese. Sot, në mënyrë tinëzare, po bëheni gati për një grusht të mirëfilltë shteti”, tha ai.
“Prej shekujsh, Perëndimi e kanë sanksionuar qartë ndarjen e pushteteve si themeli i demokracisë. Kjo është arsyeja se përse Kushtetuta e Shqipërisë dhe reforma në drejtësi ia ndalon shprehimisht një force të vetme politike emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ju jeni paralajmëruar vazhdimisht gjatë këtyre javëve të zeza për demokracinë, që të hiqni duart nga ky pushtet dhe që të mos vazhdoni më bllokimin e hetimeve për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, për koncesionet, për qindra milionë euro. Por ju jeni të vendosur të shkelni Kushtetutën për të mbrojtur interesat tuaja. Ju kërkoj për herë të fundit që të tërhiqeni ose do përballeni me pasojat,” tha Basha.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla komentoi faktin se pse Kuvendi ishte mbushur sot me disa luledielli.
“Të bëhemi bashkë për të blerë një aparaturë për diagnostikimin e leucemisë tek fëmijët”, tha ai.
Kjo solli tensionim të situatës.
Ish-kryeministri Sali Berisha u drejtua për tek foltorja, por nuk u lejua të flasë.
Pastaj pati një përplasje fizike mes deputetëve dhe punonjësve të Gardës. /21Media