Përplasen VV e LDK, Kuvendi Dështon t'ia Ndajë Pronën Ambasadës së Shqipërisë
Asamblistë të LDK-së dhe të Vetëvendosjes janë përplasur në seancën e sotme të KK të Prishtinës, për truallin e Ambasadës së Shqipërisë.
Në lidhje me këtë pikë të rendit të ditës, shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së Agim Gashi tha se nuk janë kundër që Ambasadës së Shqipërisë t`i ndahet parcela, mirëpo ai tha se janë që të respektohet ligji në plotni.
“U krijua përshtypja se ne jemi kundër, nuk jemi kundër, por jemi që të respektohet ligji”, ka thënë asamblisti Agim Gashi. Ai kërkoi që për vendimin e ndarjes së parcelës për Ambasadën e Shqipërisë të kërkohet interpretim Ligjor nga Ministria përkatëse dhe pastaj të vazhdohet tutje.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, ata nuk kanë nevojë të pyesin Ministrinë.
“Nuk ka nevojë me pyet Ministrinë e Pushtetin Lokal për tokën e cila është dhënë në shfrytëzim për ndërtimin e ambasadës së Shqipërisë”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndërsa, Mirlinda Sopa, asambliste e AKR-së, për pikën e pestë, tha se “…është turp që Kuvendi Komunal nuk i bën zgjidhje Ambasadës së Shqipërisë”.
Pas diskutimeve pika e pestë e rendit të ditës, ajo për dhënien e pronës së paluajtshme për Ambasadën e Shqipërisë është larguar nga rendi i ditës, me shumicë votash.
Me shumicë votash, nga rendi i ditës është hequr edhe pika e dytë, ajo për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatgjatë ndërmarrjes publike komunale “Hortikultura”.
Në seancën e sotme pritet të diskutohet edhe çështja e projektit për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në lagjen “Dardania”.