Aktivistët e Vetëvendosjes të akuzuar për sulmin kundër Kuvendit. Foto: Facebook

Përplasen Atdhe Arifi dhe Frashër Krasniqi lidhur me  Astrit Deharin

Dokumentari i cili i kushtohej aktivistit të vdekur të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, ka përplasur aktivistin Atdhe Arifi dhe deputetin e PSD-së, Frashër Krasniqi.

Menjëherë pas publikimit të dokumentarit  nga ‘Indoks’, deputeti Krasniqi e ka kritikuar aktivistin Arifi duke e cilësuar qëndrimin e tij si të gërditshëm dhe të dhimbshëm duke thënë se askush nuk ka të drejtë të flas në emër të Astritit për aktualitetin politik.

“S’mund ta shpjegoj sa i gërditshëm dhe i dhimbshëm ishte qëndrimi i tij. E përdori Astritin për t’i sharë e shpallur tradhtarë shokët e shoqet e tij. Kjo është e papranueshme. Askush sot s’ka të drejtë të flasë në emër të Astritit mbi aktualitetin politik. Edhe mua më pyetën në dokumentar se kah do të përcaktohej Astriti po të ishte gjallë, por kam aq respekt për shokun tim, sa që s’mund t’ia lejoj vetes një keqpërdorim të tillë” , ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje Krasniqi ka thënë se në rastin e Astrit Deharit duhet të ketë mobilizim për të kërkuar drejtësi dhe jo për të dhënë vizione se cilës parti do ti takonte ai nëse do të ishte gjallë.

“Ai ka qenë aktivist i vetëdijshëm dhe vendimet e tij potenciale nuk mund t’ia përcaktojmë ne. Asnjë palë nuk duhet të flasë në emër të Astritit. Të gjithë bashkë duhet të kërkojmë drejtësi për të!Thellësisht i zhgënjyer. Edhe në këtë pikë keni arritur të instrumentalizoni. Shyqyr që s’jam me ju”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa aktivisti Atdhe Arifi ka publikuar rrëfimin e tij në këtë dokumentar, edhe në formë të shkruar në Facebook duke thënë se ata që janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë shkelur amanetin e Astrit Deharit.

“Pak me njoftë kshtu, unë e di që goxha mirë e njohin krejt, ata që kemi qenë atë kohë VETËVENDOSJE!, pra edhe ata që janë largu edhe na që jemi në VETËVENDOSJE!, unë veç një gjë po ta them kshtu, jam i bindun, të garantoj me jetë, që unë me bo me pasë dalë vetë, personalisht, prej VETËVENDOSJE!-s, m’kish lshu zemra me shku para varrit të tij edhe me i bo homazhe. Ti ia ke shkelë rrugën e tij, ia ke shkelë amanetin”, ka shkruar Arifi.

Astrit Dehari, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti e Atdhe Arifi ishin pesë të dyshuarit për sulmin me anti-tank ndaj Kuvendit i cili kishte ndodhur më 5 gusht të vitit 2016.

Ndërkaq Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren , në  nëntor 2016.

Vdekja e Astrit Deharit ende mbetet një mister