Sami Lushtaku | Foto: Atdhe Mulla

Përpjekja e Tretë për Nisjen e Gjykimit rreth Arratisjes së Lushtakut nga QKUK-ja

Sami Lushtaku dhe 23 të akuzuar tjerë pritet që të dalin sot para gjykatës në lidhje me arratisjen nga QKUK-ja.

Sami Lushtaku, djali i tij Mërgimi, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë e gardianë pritet të dalin sot para gjykatës në lidhje me akuzat për ikjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja në kohën kur kryetari i Skenderajt po gjykohej për krime lufte.

Seanca fillestare e këtij gjykimi ishte caktuar të mbahej më 25 shtator, por u shty ngase atë ditë munguan të akuzuarit Dardan Geci, Myrvete Lushtaku e Skender Tahiri, kurse as seancat tjera të cilat ishin paraparë që të mbaheshin me datat 7 dhe 24 nëntor nuk u mbajtën për shkak se munguan disa prej të akuzuarve, duke bërë kështu që për të tretën herë radhazi të dështojë mbajtja e kësaj seance.

Pas dështimit të mbajtjes së shqyrtimit fillestar në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti tha se nuk do të lejojë që të ketë shtyrje të pakufishme të seancave pasi që po qe se është nevoja ai do të përdorë edhe masa të tjera për të siguruar prezencën e të akuzuarve në shqyrtim gjyqësor.

Kurse për të akuzuarin Skender Tahiri i cili në seancën e kaluar nuk u paraqit pranë gjykatës lëshoi urdhëresë për sjellje të tij me detyrim.

http://kallxo.com/urdher-arrest-per-rastin-e-arratisjes-nga-qkuk/

Aktakuza lidhet me arratisjen nga QKUK-ja të Sami Lushtakut, Sahit Jasharit e Ismet Haxhës, tre të akuzuarve të Grupit Drenica në vitin 2014.

Pas dështimit të mbajtjes së seancave, prokurori i EULEX-it Romulo Mateus kishte kërkuar veçimin e procedurës ndaj të akuzuarve që mungonin duke e konsideruar si fyerje për drejtësinë shtyrjen e këtij procesi gjyqësor.

Por gjyqtari Shashivar Hoti e kishte refuzuar kërkesën për veçim të procedurës me arsyetimin se në afat shumë të shkurtër do të caktonte seancën e radhës.

http://kallxo.com/prokurori-fyerje-per-drejtesine-zvarritja-e-gjykimit-per-arratisjen-nga-qkuk/

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg

http://kallxo.com/deshton-seanca-per-arratisjen-e-sami-lushtakut-nga-qkuk/

http://kallxo.com/sot-lushtaku-ne-gjyq-per-arratisjen-nga-qkuk-ja/