Protesta VV-Para Prokurorise Prishtine_Protesta VV-Para Prokurorise Prishtine_012

Përmbledhje nga protesta e LVV-së për shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi

Me moton “Lepur Ik, Lepurushi me 7 karota”, qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës protestuan sot në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje para Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi të shkarkohet pasi që sipas tyre ‘nuk është i denjë për pozitën që mbanë’.

Mbishkrimi në pankartën kryesore të LVV-së me moton e tyre tregon se për çka saktësisht protestohej sot në 5 në 12 para Prokurorisë së Shtetit.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi mban shtatë pozita në institucione të Kosovës: Anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Anëtar i Bordit të Akademisë Policore në Kosovë, Kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Kryetar i Këshillit Drejtues së Akademisë së Drejtësisë, Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Qendrat e VV-së në Komunat Kryesore të Kosovës kanë njoftuar në faqet e tyre zyrtare për orën e nisjes për në Prishtinë, për protestën e sotme.

Protesta do mbahej në mënyrë paqësore, ndërsa udhëtimi i protestuesve nga vendet e tjera do ishte gratis ashtu siç kishte organizuar Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe pse protestuesit ishin mbledhur para Prokurorisë së Shtetit, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk erdhi në kohë.

Ai iu bashkëngjit turmës në momentin kur vetëm po filloheshin fjalimet, të cilin e nisi Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu.

“Protesta jonë do të jetë paqësore por fjalët tona duhet të dëshmohen. Paqe dhe hajni nuk ka, me hajna nuk ka shtet. Protestat tona do të vazhdojnë dhe do të jenë paqësore”, ka thënë ajo gjatë protestës që po mbahet para Prokurorisë së Shtetit, kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Gjatë protestës nuk munguan as fotografitë, që protestuesit i bënin me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Shtetit ishte rrethuar me zyrtarë policor të cilët, ishin aty për të dhënë siguri.

Për derisa Vetëvendosje, akuzonte Prokurorinë e Shtetit se nuk funksionon si duhet, se po liron persona me akuza të rënda, se nuk heton dhe akuzon persona të profileve të larta, vendosi që në këtë protestë të improvizoj një prokurori që ngriti aktakuzë ndaj, ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj për 53 milionëshin, Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi.

Kjo ‘prokurori’ e improvizuar nga ana e studentëve të Universitetit të Prishtinës, së departamenteve të ndryshme kërkoi që të lartpërmendurit të dënoheshin për veprat penale të cilat janë parashkruar në aktakuzat e improvizuara.

Protestuesit brohorisnin gjatë leximeve të aktakuzave të improvizuara nga e studentëve të Fakultetit Juridik.

Me pankarta në duar, protestuesit kërkonin largimin e Lumezit, kërkonin ‘drejtësi dhe jo servilizëm’, kërkonin ‘drejtësi efektive dhe jo drejtësi selektive’.

Me të përfunduar improvizimi i prokurorisë, fjalën e mori Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca.

Ai nisi fjalimin e tij me pyetjen: “Kur pushteti e thërret Aleksandër Lumezin në telefon dhe ky ja qel telefonin a mundeni me ditë me cilën shprehje lajmërohet?”

Protestuesit të cilët kishin rrethuar Konjufcën u përgjigjën njëzëri “pronto”.

Ai ka thënë para protestuesve se drejtësia në Kosovë ka kolapsuar.

“Mbi gjysma e seancave të korrupsionit dështojnë për mungesë të palëve, edhe të prokurorëve. Kurrë drejtësia nuk ka qenë më e dobët më përpara se sot. Drejtësia ka kolapsuar në Kosovë”, tha ai.

Ai shtoi se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë për ndryshime.

“Ndryshimi i gjendjes është i pashmangshëm. Ne duhet ta bëjmë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Sistemi është i kapur nuk mund ta luftojë krimin e korrupsionin”, deklaroi ai.

Në fund të fjalimit, Konjufca ka paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen derisa vullneti i qytetarëve të vihet në vendin e vet.

Protestuesit vazhdimisht brohorisnin “Duam shtet me sovranitet”, “Lepur ik”,  “KryePRONTOkuria”, “Me hajna nuk ka shtet”.

Pas përfundimit të fjalimit të Konjufcës, protesta përfundoi duke thënë se do të mblidhen edhe herëve të tjera.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk mbajti fjalim para protestuesve të cilët kishin ardhur për të përkrahur protestën e organizuar nga partia e tij.

Ai së bashku me protestuesit u larguan nga vendi ku po mbahej protesta, për t`u mbledhur prapë në një datë tjetër për të cilën sipas LVV-së do të koordinohen ditëve të ardhshme.