Zyra e Kryeprokurorit-Konferencë Rajonale Kundër Krimit të Organizuar

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do të organizojë më 5 dhe 6 dhjetor konferencën rajonale për luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Konferenca ka mbështetjen e Ambasadës amerikane, Presidencës, Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Drejtësisë.

Konferenca Rajonale “Sfidat në Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit dhe Bashkëpunimi në Evropën Juglindore” pritet të sjellë në Prishtinë njerëz që luftojnë këto krime në disa vende të rajonit, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit .

Në këtë konferencë do të marrin pjesë kryeprokurorë dhe prokurorë nga Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Hapja e konferencës do të bëhet nga u.d. i kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha.

Me fjalë përshëndetëse do të paraqiten edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në vendin tonë.

Ditën e parë kumtesat e tyre për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar do t’i paraqesin dy ekspertë nga Qendra Evropiane për Studimet e Sigurisë, “George C. Marshall”, një prokuror-ekspert në fushën kundër terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësues nga sistemi i drejtësisë i Republikës së Kosovës.

Dita e dytë është rezervuar për mysafirët nga rajoni.

Ata do të paraqiten me kumtesat e tyre duke prezantuar punën, legjislacionin, përvojat e vendeve që përfaqësojnë në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe idetë për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal në luftë kundër këtyre dukurive.

Ditën e dytë do të dilet edhe me përfundimet e konferencës, ndërsa ky aktivitet organizohet nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për ta shtuar bashkëpunimin rajonal në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.