“Zviceranët” Shkaktojnë Aksidente dhe Kaos Komunikacioni në Prizren

Brenda vetëm 24 orësh, plot 16 aksidente trafiku kanë ndodhur në rajonin e Prizrenit.

Sipas policisë rajonale, automjetet nga Zvicra kryesojnë në këtë kaos komunikacioni, ku shkaktarët kryesorë janë mërgimtarët që janë kthyer për pushime.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 16 aksidente në trafik ku janë lënduar 18 persona dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale”, njofton policia.

Sipas hetuesve të policisë, numri më i madh i pjesëmarrësve në aksidente janë nga radhët e mërgimtarëve, respektivisht në aksidente janë përfshirë 14 automjete me targa të huaja, ku dominojnë ato nga Zvicra.

Mospërputhja e standardeve dhe rregullave në vozitjen e mjeteve në Zvicër dhe Kosovë, përderisa personat janë të njëjtët që vozitin në të dyja vendet, është vënë re edhe nga policia.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren e mirëpret ardhjen e bashkatdhetarëve tanë në pushime por dëshiron që ata të sjellin kulturën në respektimin e rregullave të trafikut nga shtetet prej nga vijnë”, thuhet në kumtesën për shtyp të policisë në Prizren.

Përndryshe, sipas këtyre informatave, rezulton se prizrenasit jomërgimtarë dhe të “pandikuar” nga kultura perëndimore sjellin shumë më pak telashe në komunikacion.

Sipas raportit 24 orësh të policisë së Kosovës për ditën e hënë, në vend kanë ndodhur 73 aksidente pa të lënduar, 29 aksidente me të lënduar dhe një aksident me fatalitet.