Zhbogar: Koha e Fundit Për Ndryshime

Prioritet i Kosovës nuk është anëtarësimi në BE por përmirësimi i situatës ekonomike, krijimi i vendeve të punës, ngritja e cilësisë së arsimit dhe një shërbim efikas shëndetësor.

Një gjë të tillë e tha përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar sipas të cilit është koha e fundit për institucionet e vendit të bëjnë ndryshime në çështjet e lartpërmendura.

Këto komente ai i bëri gjatë një diskutimi në kuadër të shkollës dimërore ku krahas arsimit, u diskutuan edhe problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Zhbogar komentoi edhe për migrimet ilegale duke thënë se përmirësimi i kushteve jetësore, do ta ndalonte një dukuri të tillë.

“Natyrisht se çështja e migrimit ilegal nuk i ndihmon Kosovës dhe këtu po kthehem ne atë së çfarë thash në  fillim. Gjersa njerëzit nuk kanë shpresa në Kosovë, do të shohin për një të ardhme jashtë vendit dhe pastaj duhet të ballafaqohemi me migrimin ilegal”, tha ai.

Lidhur me këtë problem, Zhbogar tha se Institucionet duhet që të merren me trafikantët ilegalë por edhe të krijojnë kushte për jetesë.

Ai tha se ky vit për Kosovën do të jetë shumë i ngjeshur duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, dialogun me Serbinë si dhe sundimi e Ligjit, si tri çështjet kryesore në të cilat Institucionet e vendit duhet të përkushtohen.

Ndërkaq, ambasadori i Anglisë në Kosovë, Ian Cliff ka folur për çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian duke thënë se integrimi i shteteve të Ballkanit në BE është një punë e papërfunduar që nga lufta e dytë botërore. Ai tha se Kosova është prioritet për BE-në për shkak të stabilitetit rajonal.

Cliff foli edhe për përmirësimin e gjendjes ekonomike duke thënë se Kosova duhet të punojë më shumë në këtë pikë.

“Nuk duhet ta mashtrojmë veten sepse kjo nuk do të jetë një gjë e lehtë. Të gjitha shtetet që kanë kaluar në fazën e tranzicionit ekonomik ku ka pasur më pak vende të reja të punës para se të rritet sektori publik ku janë krijuar më shumë vende të punës nuk e kanë pasur të lehtë ”, tha ai.

Cliff tha se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë për Kosovën dhesë  rruga për në BE do të jetë e mundimshme. Si gjë të rëndësishme ai ka përmendur edhe reformën në Administratën Publike.  Diplomati britanik tha se me një administratë të tillë, Kosova nuk mund ti bashkohet BE-së.

Edhe Cliff edhe Zhbogar kanë komentuar për çështjen e Trepçës. Të dy kanë qenë të mendimit se likuidimi i saj nuk është një gjë e duhur. Ata kanë thënë se institucionet e vendit duhet të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

Ndërkaq, për arsimin në vend ka diskutuar rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu i cili tha se duke marrë parasysh faktin se kur integrimi Evropian është prioritet, edhe Universiteti i Prishtinës  është e përkushtuar në këtë fushë.

“Si Universitet synojmë që ti shërbejmë kërkesës për dije sepse dija është viza që hap të gjitha rrugët  e botës prandaj në këtë rast dua që t’i ftoj studentët që të punojnë”, tha rektori Zejnullahu.

Rektori u shpreh se në këtë rrugë nuk duhet të ketë më vonesa, pasi që gara për dije, sipas tij, po bëhet gjithnjë më e vështirë dhe gjithnjë më e nevojshme.