Zgjerohet Shënjestra e Vetëvendosjes me Vezë, Sulmohen Selimi e Abrashi

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar sot dy anëtarë të kabinetit qeveritar duke hedhur vezë në drejtim të tyre duke e bartur hedhjen e vezëve edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Viktimë e parë e sulmit të këtyre aktivistëve ishte zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Ai ka qenë duke ecur nëpër rrugët e Prishtinës kur aktivistët e Vetëvendosjes i kanë dalë në pritë nga një qoshe e rrugës për t’ia thyer disa ve në kokë.

Sulmuesit e kanë xhiruar tërë këtë sulm, ndërsa kur e kanë publikuar videon në profilin zyrtar të Vetëvendosjes në Facebook, ia kanë ‘censuruar’ zërin reagimit të zëvendës ministrit Selimi.

Nga video e publikuar, shihet se motivi i sulmuesve për ta sulmuar Selimin ka qenë një selfie e tij me ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, disa muaj më parë në Prishtinë.

Reagimi i Selimit ka qenë i menjëhershëm.

“Sapo u sulmova me vezë nga kriminelët fashistë të Vetëvendosjes. Përgjigja ime: nesër do të udhëtoj në Azi për të marrë më shumë vota për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, ka komentuar Petrit Selimi.

Ndërsa rreth orës 21:30, viktimë e vezëve të hedhura nga aktivistët e Vetëvendosjes ishte ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Aksioni i Vetëvendosjes ndaj Abrashit është ‘arsyetuar’ me një fotografi të cilën ai e ka bërë bashkë me kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jablanoviq, në zyrën e këtij të fundit, në mur të së cilës ëhstë vendosur një stemë shtetit të Serbisë.

“Nuk ka rehati për politikanët që po ia prishin rehatinë dhe jetën qytetarëve. Që po e ndajnë Kosovën dhe po e defunksionalizojnë shtetin”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes pas sulmit ndaj ministrit Abrashi.

Ai tha se është sulmuar pasi kishte dalë nga një intervistë në një studio televizive në Prishtinë por thotë të mos jetë qëlluar nga vezët.

“Është sulm qyqar nga njerëz që nuk e njohin as vendin as Kushtetutën”, tha Abrashi për KALLXO.com.