Ylli Hoxha në Pranga Shkaku i Protestës Ndaj Shefit të "Pastrimit"

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha, është ndaluar dhe shoqëruar për në stacion policor. Këtë informatë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë, Agron Borovci.

“Më datën 16 Policia e ka iniciuar një rast lidhur me pengimin e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi” ku të njëjtin e ka njoftuar me shkrim për t’u paraqitur në polici. Por i njëjti e ka injoruar këtë njoftim dhe sot rreth orës 14:00 e kemi shoqëruar për në stacion dhe aktualisht është duke u intervistuar. Ne po presim udhëzimet e mëtutjeshme të prokurorit”, tha Borovci për Kallxo.com.

Ai po ashtu shtoi se policia nuk ka lëshuar fletë-arrest për Ylli Hoxhën.

“Nuk ka pasur fletë-arrest, informacionet që kanë dalë në publik nuk janë të vërteta, sepse policia nuk ka lëshuar fletë-arrest për këtë person”, shtoi ai.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të Ylli Hoxhës.

Vetëvendosje pretendon se Ylli Hoxha nuk ka bërë “pengim të personit zyrtar” ashtu siç thuhet në arsyen e lëshimit të fletë-arrestit ndaj tij nga ana e policisë.

“Feim Salihu nuk është person zyrtar, por është uzurpator i KRM “Pastrimi”. Feim Salihu është shkarkuar nga bordi i ndërmarrjes, dhe tash ka edhe vendim të Gjykatës që zgjedhja e tij në atë pozitë ka qenë e paligjshme. Policia e Kosovës është dashur ta largojë tashmë nga vendi i punës atë uzurpator”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

“Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Skënder Hyseni i LDK-së, nuk po e lejon Policinë e Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës, por po i përdorë ata si instrument politik për ta shpëtuar uzurpatorin Feim Salihun, dhe për ta shtypur çdo protestë kundër tij”, thotë Vetëvendosje.

Fatih Sylka