Xhymshiti Kërkon mbi 200 Mijë Euro për Goditjen nga Polici

Reporteri Vedat Xhymshiti kërkon 206 mijë e 500 euro nga shteti i Kosovës pasi u godit nga një polic në një protestë të “Vetëvendosjes”.

Xhymshiti ka paditur për kompensim dëmi Ministrinë e Punëve të Brendshme, qeverinë dhe Republikën e Kosovës, ndërsa sot në Gjykatën Themelore në Prtishtinë u mbajt seanca e këtij rasti.

Këtë padi Xhymshiti e ushtroi në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë më 14 maj 2012 me pretendimin se ndaj tij ishte ushtruar dhunë nga polici Faruk Ibrahimi gjatë kohës sa ai ishte duke kryer punën e tij si fotoreporter.

Pastaj më 1 dhjetor 2014 Gjykata Themelore në Gjilan-Dega në Kamenicë policin Ibrahimi e dënoi me 4 muaj burg, duke vërtetuar se derisa Xhymshiti  ishte duke bërë foto- incizime të ngjarjeve gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, është goditur pa ndonjë pretekst nga i pandehuri  me bërryl në pjesën e poshtme të nofullës, duke u rrëzuar në tokë, alivanosur dhe humbur vetëdijen.

Në seancën e sotme Xhymshitin e përfaqësonte avokati Artan Qerkini, ndërsa palën e paditur Ilire Aydogan.

Qerkini tha se i qëndron besnik padisë, ndërsa Aydogan ekundërshtoi atë. Pastaj gjykata administroi provat ndaj të cilave palët nuk patën kundërshtime.

Pas seancës, Artan Qerkini, avokati i Vedat Xhymshitit e komentoi rrjedhën e saj.

“Shpresojmë se me anë të këtij rasti do të krijohet një praktikë gjyqësore në Kosovë sipas të cilës përveç kompensimit të rregullt material dhe jomaterial, gjykatat do të mbajnë qëndrim se do të kompensohet edhe dëmi që është pasojë e shkeljes së të drejtave të garantuara me kushtetutë,” tha Qerkini.

Zhvillimi i procedurës gjyqësore sipas Qerkinit do të edukojë edhe punonjësit e organeve shtetërore.

“Me anë të këtij rasti besoj edhe organet shtetërore, përkatësisht punëtoret e organeve shtetërore do të vetëdijesohen edhe do ta kuptojnë se veprimet e tyre mund t’i kushtojnë buxhetit të shtetit,” tha Qerkini.

Ai bëri me dije se padinë e ka ngritur duke u bazuar në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Natyrisht jemi mbështetur në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila gjykatë me aktgjykimet e veta ju ka njohur parashtruesve të kërkesave kompensimin e drejtë të dëmit material për shkak të shkeljes së të drejtave të parapara me Konventën Evropiane për tëDrejtat e Njeriut,” sqaroi Qerkini.