
Xhelal Berisha Me Ofertë Të Re Për Shyhrete Berishën
Pasi ka refuzuar ofertën e kunatit për t’ia blerë një banesë në këmbim të heqjes dorë nga kërkesa për t’u kthyer në shtëpinë ku ka jetuar me burrin dhe fëmijët e vrarë në luftë, Xhelal Berisha i ka bërë kunatës së tij, Shyhrete Berishës, një ofertë të re gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore në Suharekë.
Avokatja e Xhelal Berishës tha se mbrojtësi i saj është i gatshëm t’ia japë Shyhretes “të drejtën e përjetshme, deri në vdekje” për shtëpinë kontestuese.
Avokatja tha se kjo ofertë vjen “për hir të kujtimeve” të cilat e lidhin Shyhreten me këtë shtëpi.
Avokatja tha se ligji nuk i jep të drejtë resë që ta trashëgojë pronën e vjehrrit.
“E drejta e resë për ta trashëguar pronën e vjehrrit nuk parashihet me ligj. Këtë të drejtë e kanë vetëm fëmijët e saj”, tha avokatja e Xhelal Berishës.
Por pala tjetër nuk u impresionua nga kjo ofertë.
Avokati i Shyhrete Berishës e vlerësoi si “lëmoshë” atë që iu ofrua klientes së tij, ndërsa tha se kjo nuk është ajo që i takon Shyhrete Berishës.
“Shyhretja nuk po kërkon lëmoshë, por drejtësi. Nëse të rritësh 4 fëmijë dhe të punosh për 17 vjet në një shtëpi nuk është kontribut, atëherë nuk e di çka quhet kontribut”, tha avokati.
Pasi që sot u bë precizimi i kërkesë- padisë, avokatet e Xhelal Berishës kërkuan që seanca të shtyhet, për shkak të pamundësisë për t’u deklaruar gjatë ditës së sotme.
Trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën për 23 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa mbrojtja e Xhelal Berishës morën obligimin që të përgjigjen me shkrim lidhur me precizimin e kërkesë- padisë.
Avokati i Shyhrete Berishës tha që “është fakt notor se shtëpia kontestuese është lëshuar me qera nga burri i Shyhretes” për Misionin Verifikues të OSBE-së.
“Përfshirja e shtëpisë së Shyjretes në testament nga vjehrri i saj, që nuk ka qenë shtëpia e tij, është e kundërligjshme”, tha avokati Naim Qelaj.
“Shyhretja ka provuar të kthehet në shtëpi pas luftës por kunati i saj nuk e ka lejuar të hyjë në shtëpinë e saj”, u shpreh ai.
Sot në Gjykatën Themelore në Suharekë do të mbahet seanca e dytë në rastin e Shyhrete Berishës dhe kunatit të saj, Xhelal Berisha.
Ajo ka paditur Xhelal Berishën se i ka mohuar të drejtën për ta shfrytëzuar shtëpinë tash e 15 vjet.
Palët ishin përballur në gjykatën e Suharekës edhe më 1 dhjetor, por kryetari i trupit gjykues u dha atyre katër ditë afat për të arritur një marrëveshje, gjë të cilën nuk kanë mundur ta bëjnë.
Shyhrete Berisha, e kontaktuar nga KALLXO.com tha se nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje. Ajo tha se kunati i saj i ka ofruar një banesë, opcion të cilin ajo tha të mos e ketë pranuar.
Më 28 mars të vitit 1999 forcat serbe i vranë Shyhretes burrin dhe katër fëmijët. Ajo mbeti e plagosur nga masakra ndaj familjes së saj, dhe shpëtoi duke u shtirë si e vdekur.
Fëmija i tyre më i vogël ishte më pak se dy vjeç, ndërsa më i madhi pas rreth 16.
Gazetari i KALLXO.com raporton se në seancën e sotme nuk është paraqitur i padituri Xhelal Berisha, duke e lënë mbrojtjen e tij në duar të avokateve Shpresa Berisha dhe Shemsije Sheholli.
08.12.2014
22:56
Shyhrete Berisha do të dalë nesër përsëri para gjykatës përballë kunatit të saj, Xhelal Berishës, në rastin e pronës së burrit të saj të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.
Ajo ka paditur Xhelal Berishën se i ka mohuar të drejtën për ta shfrytëzuar shtëpinë tash e 15 vjet.
Palët ishin përballur në gjykatën e Suharekës edhe më 1 dhjetor, por kryetari itrupi gjykues u dha atyre katër ditë afat për të arritur një marrëveshje, gjë të cilën nuk kanë mundur ta bëjnë.
Shyhrete Berisha, e kontaktuar nga KALLXO.com tha se nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje. Ajo tha se kunati i saj i ka ofruar një banesë, opcion të cilin ajo tha të mos e ketë pranuar.
Më 28 mars të vitit 1999 forcat serbe i vranë Shyhretes burrin dhe katër fëmijët. Ajo mbeti e plagosur nga masakra ndaj familjes së saj, dhe shpëtoi duke u shtirë si e vdekur.
Fëmija i tyre më i vogël ishte më pak se dy vjeç, ndërsa më i madhi pas rreth 16.
“Unë nuk mundem me arrit marrëveshje pasi kunati po dëshiron me kompensu, por gjaku i burrit dhe fëmijëve të mi nuk kompensohet me asgjë”, tha Shyhrete Berisha.
Po ashtu, e njëjta tha se marrëveshja e saj është vetëm shtëpia ku kanë jetuar fëmijët dhe burri i saj.
“Marrëveshja ime me kunatin është vetëm shtëpia, aty ku kanë jetuar fëmijët dhe burri im”, tha Shyhrete Berisha
Ndërsa Shpresa Berisha, avokate e Xhelal Berishes, e kontaktuar nga KALLXO.com, tha se as me drejtë zakonore e as me të drejtë ligjore Shyhretes nuk i takon trashëgimia e vjehrrit.
“As me drejtë zakonore, e as me drejtë ligjore, nuk i jepet e drejta mbi trashëgiminë e vjehrrit Shyhretes, por ajo ka të drejtë mbi trashëgiminë e babës së vet, por jo edhe të vjehrrit”, tha Shpresa Berisha.
Ajo tha se klienti i saj, Xhelal Berisha, po mundohet t’i bëjë zgjidhje “për arsye humanitare”.
“Po mundohen me ba zgjidhe dhe i kanë bë disa propozime, në mesin e tyre edhe banesën dhe të gjitha këto propozime do t’ia paraqesim nesër gjykatës”, tha avokatja e Xhelal Berishës.
Seanca gjyqësore, do të mbahet të martën në Gjykatën Themelore në Suharekë, ku Shyhrete Berisha do ta paraqesë padinë me të cilin pretendon të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë e burrit të saj.
KALLXO.com do ta përcjellë këtë seancë dhe do të raportojë në kohë reale mbi zhvillimin e saj.