Vrojtimi mbi Mediet: Mbizotërojnë Censura dhe Vetëcensura

Individët e lidhur me politikën janë njerëzit që pengojnë më së shumti lirinë e shprehjes kështu tu tha sot gjatë debatit të organizuar nga Kosovo 2.0, Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës dhe organizata “Çohu”.

“Gazetarët të cilët mbulojnë fushën e Drejtësisë kanë perceptim më të lartë se ka ndërhyrje, ka qenë e papritshme që gazetarët që e mbulojnë fushën e kulturës e kanë perceptimit që ka ndërhyrje në punën e tyre”, tha Lorik Bajrami.

Bajrami i bëri këto komente nga organizata “Çohu” ndërsa prezantonte të gjeturat kryesore të studimit “Treguesit e Mediave 2015”.

Sipas perceptimeve të gazetarëve thuhet se në Mitrovicë më së shumti është e rrezikuar liria e shprehjes, pastaj vjen Prizreni, Prishtina, Gjilani, Peja Ferizaji dhe Gjakova.

Të gjitha këto të dhëna dalin nga një studim që është bërë me gazetarë në gjithë Kosovën.

Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës Ibrahim Berisha tha se censura mbetet problem por sipas tij edhe frika e gazetarëve është vetëcensurë.

“Kur thuhet nuk po merret askush me këtë punë atëherë nuk po merrem as unë, edhe kjo është një vetëcensurë”, u shpreh Berisha.

Ndërsa foli edhe për pozitën e gazetarëve të cilët nuk kanë kontrata kjo pasi që raporti thotë se 45 për qind e gazetarëve janë deklaruar se gazetarët në Kosovë nuk kanë kontrata të rregullta pune.

Bekim  Kupina, redaktor në të përditshmen Koha Ditore, tha se tanimë ekziston një bindje që gazetaria po vdes.

Ky raport paraqet gjendjen aktuale të gazetarëve, ndërsa sipas raportit vetëm policia dhe komunat perceptohen disi si të hapura ndaj medieve. Institucionet tjera janë afër mesatares ose nën mesatare me institucionin më së paku të hapur që është “EULEX”.

Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të ndryshëm nga mediet në Kosovë.