Vritet Një Person Pas Mesnatës

Një person është vrarë sot pak minuta pas mesnatës në fshatin Milloshevë të Obiliqit, pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.

Policia e Kosovës konfirmoi se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, ku kanë hasur në një person të plagosur i cili menjëherë është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

Sipas Policisë, viktima është shtetasi i Kosovës, N.A., 43 vjeçar i cili ka ndërruar jetë duke mos mundur t’u përballojë plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor i QKUK-së.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë ligjore për autopsi,  ndërkohë që hetuesit rajonalë janë duke punuar  për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia thotë se personi i dyshuar për këtë rast ndodhet në arrati, por ai është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë.