Vritet Duke Kositur Livadhin

Një burrë 52 vjeçar është vrarë dje në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës përderisa po kosiste livadhin ndërsa katër persona janë arrestuar si të dyshuar për këtë rast, njoftoi të dielën policia rajonale e Prizrenit.

Sipas raportit policor, vrasja ka ndodhur në një fushë tek vendi i quajtur “Rapufa”.

Hetimet fillestare të policisë kanë ardhur në përfundim se viktima nga familja  Xheraj kishte shkuar me traktor për ta kositur livadhin dhe nuk ishte kthyer.

Familjarët të shqetësuar për viktimën,  kanë shkuar për të marrë vesh shkakun e mos kthimit të tij dhe  në vendngjarje e kanë gjetur të njëjtin pa shenja jete.

“Sipas hetuesve policorë të krim teknikës dhe mjekoligjorëve që janë marrë me rastin thuhet se viktima ka marrë pesë plagë shpuese-depërtuese nga arma e zjarrit; katër në trup e një në kokë”, tha Policia e Kosovës.

Trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi ndërsa mbrëmë, në orët e vona, hetues rajonalë, të përkrahur edhe me forca tjera policore, me kërkesë të prokurorit të shtetit që ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes  e me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, kanë bastisur një shtëpi në kërkim të provave materiale dhe gjetjen e autorëve të vrasjes e cila me gjasë është kryer nga pusia.

“Është gjetur dhe sekuestruar një armë kallashnikov e mbështjell me një setër të zezë dhe pajisje për pastrimin e armës dhe një karikator me dhjetë fishekë. Për shkak të errësirës së natës, policia nuk ka qenë në gjendje që mbrëmë t’i gjejë gëzhojat e armës ndërsa sot, qysh në agim, Njësiti i krim teknikës ka filluar me këqyrjen e vendit të ngjarjes i cili është mjaft i hapur dhe i gjerë dhe duhet kositur sasi e konsiderueshme e barit dhe kontrolli i përhimët i një perezhi (gardh me shkurre drunjësh) rreth 150 metra”, thuhet në raportin e Policisë.

Policia thotë se të arrestuarit janë nga familja Tunaj.