Votuan Liderët

Qershor 08, 2014 – Presidentja Atifete Jahjaga u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore.

“Dita e sotme është një provë e zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit tonë”, tha Presidentja Jahjaga

Edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Sot, është një betejë e konkurrencës, në të njëjtën kohë sot është ditë e veçantë, ditë historike, dita e Misionit të Ri”, ka thënë Thaçi pas votimit.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime dhe ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues.

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, ka thënë se sot qytetarët vendosin dhe ata përcaktojnë fatin e politikave të shtetit dhe të politikanëve në institucione.

“Tash demokracia nuk është e mbyllur në salla e në dhoma të ndërtesave të institucioneve, por ajo është e hapur anë e mbanë Kosovës për të gjithë dhe secilin pa dallime”, ka thënë Kurti.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u ka uruar qytetarëve zgjedhje të lira.

“Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën, qytetarët e Kosovës do të votojnë për të ardhmen e vendit, për drejtimin që do të marrë Kosova”, tha Haradinaj.

Behgjet Pacolli, lider i Aleancës Kosova e Re, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe demokratike.

“Është ditë e bukur për Kosovë. Është dita më e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Pacolli.