Vlora Çitaku Heq Dorë nga Ulësja e Deputetes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën urdhëroi  Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që të fillojë rinumërimin e votave në 51 vendvotime, në të cilat PZAP-i një ditë më parë konstatoi se janë bërë shkelje gjatë numërimit të parë.

Anëtari Betim Gjoshi tha se KQZ-ja do t’i japë një pëlqim Qendrës së Numërimit të Rezultateve për të filluar numërimin.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka marrë një vendim për rinumërimin e votave në 52 vendvotime, në 38 nga to numërohen vetëm votat e kandidatëve të një subjekti politik, ndërsa në 13 numërohen në tërësi fletëvotimet e këtyre vendvotimeve”, tha Gjoshi.

Kurse anëtari Florian Dushi kërkoi që QNR-ja t’i njoftojë vëzhguesit e subjekteve politike dhe ata ndërkombëtare në mënyrë që procesi i rinumërimit të këtyre votave të jetë sa më transparent.

“Unë kërkoj që Qendra e Numërimit dhe e  Rezultateve t’i njoftojë vëzhguesit e subjekteve politike që ata të kenë mundësi që edhe këtë proces ta vëzhgojnë sikur edhe proceset e mëparshme. Kërkoj po ashtu të njoftohen edhe vëzhguesit ndërkombëtarë sidomos të misionit të BE-së, por edhe të atyre që kanë treguar interesim gjatë gjitha proceseve që janë zhvilluar në QNR”, tha Dushi.

Nga ana tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Sekretariartit të KQZ-së, Enis Halimi, tha se QNR-ja nuk do të fillojë procesin e rinumërimit të këtyre votave, pa u njoftuar vëzhguesit e subjekteve politike.

“Nuk fillon procesi në QNR, pa u njoftuar vëzhguesit, është krejt format i njëjtë i aktiviteteve sikundër ka qenë në të kaluarën”, tha Halimi.

Halimi, shtoi se po besojmë që në një kohë optimale brenda ditës së sotme do të arrijmë që këtë proces ta përfundojmë.

Më pas, anëtari i PDK-së Betim Gjoshi njoftoi anëtarët e KQZ-së për një kërkesë nga një kandidate e një subjekti e cila ka kërkuar të heqë dorë nga kjo detyrë. Por, ai nuk e bëri të ditur emrin e kandidates dhe subjektin e saj.

“E kemi një kërkesë nga një kandidate të një subjekti politik e cila e ka fituar mandatin në bazë të rezultateve përfundimtare të cilat ende nuk janë certifikuar dhe heq dorë nga kjo e drejtë”, tha Gjoshi.

Gazeta Jeta në Kosovë merr vesh se kandidatja e cila ka shprehur dëshirën të heqë dorë nga posti i deputetes është Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Arsyeja për mospranimin e mandatit lidhet me angazhimet e mia të reja profesionale të cilat kërkojnë nga unë që të mos jem e përfshirë politikisht në asnjë subjekt politik”, thuhet në letrën që Vlora ÇItaku ia ka dërguar kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, të cilën e ka siguruar KALLXO.com

Ditëve të fundit, mediat kanë raportuar se Çitaku, ministre në largim e Integrimeve Evropiane mund ta marrë një pozitë diplomatike në Nju Jork.