VIDEO - Blerim Devolli nuk e njeh askënd, ia mësyn 30-milionëshit

Kreu i Z Mobile, Blerim Devolli, sot ishte i ftuar për t’u intervistuar nga Komisioni Hetues Parlamentar për gjendjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Në dëshminë tij, Devolli disa herë tha se nuk e njeh askënd prej politikanëve apo deputetëve në Kosovë dhe asnjëherë nuk ishte takuar me ndonjërin prej tyre.

Ai tregoi se si është përfshirë në kontratën e famshme të Telekomit të Kosovës me kompaninë private Dardafone, pronar i të cilës është vet ai.

“Ka qenë tender i hapur dhe kemi marrë pjesë aty. Ka pasë edhe të tjerë. Kemi apliku me Dardafone”, ka thënë shkurtimisht Devolli.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, përmendi emrat e Adnan Merovcit, Etrur Rrustemit, Rexhë Gjonbalajt e Hashim Thaçit, duke e pyetur Devollin se cili prej këtyre e kishte ndihmuar për të fituar tenderin.

Devolli e mohoi se ndonjëri prej emrave që i përmendi Zemaj e kanë ndihmuar për të fituar tenderin në Telekom.

Tutje deputeti Zemaj, pati një kërkesë për Devollin.

“E kam një kërkesë. Ty nuk të takojnë ato para dhe të kisha thonë mos me i marrë ato para. Ato i takojnë qytetarëve të Kosovës. Ato para nuk janë të grabitësve të Telekomit”, ishte kërkesa e Armend Zemajt.

Ndërsa përgjigjia e Devollit ishte e qartë, duke thënë se atij nuk i intereson se çka ka ndodhë në Telekom.

“Neve nuk ka intereson kush çka ka bo, ne e kemi procesin gjyqësor dhe këto gjana që i kemi”, u përgjigj Blerim Devolli.

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, e pyeti atë se si është e mundur që Arbirtrazhi e vlerësoi dëmin 30 milion euro që iu ka shkaktu Z Mobile, e kjo kompani për 8 vjet kishte rreth 6 milionë euro fitim të pastër.

Blerim Devolli u përgjigj se mos respektimi i kontratës nga ana e Telekomit e ka prishur biznesin e tij pasi, sipas tij, për tri vjet nuk ka arritur të ofrojë shërbime të internetit 3G dhe 4G.

Në pyetjen e deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliut, se si Devolli ka arritur ta bindë menaxhmentin  e PTK-së për këtë kontratë të dëmshme, Blerim Devolli tha që kjo është diçka që është gjykuar.

“Është gjykuar ai sen, ne kemi qenë në gjykatë 5 vite. 22 milionë i ka marrë vetëm ndarje, plus tjerat për numrat e Z Mobile, totali 43 milionë që i bie 57% i ka marrë Telekomi”, tha Devolli.

E deputetja Albulena Haxhiu e pyeti se a janë të gatshëm për të bërë auditim të brendshëm, ndërsa Devolli tha se e kanë bërë në të kaluarën, duke iu shmangur pyetjes.

Haxhiu kërkoi që ta shohë auditimin ndërsa Devolli u përgjigj “a bon me ta sjellë nesër, se për sot nuk e keni kërku”.

Njëri nga këshilltarët e Devollit qeshi, ndërsa Albulena Haxhiu kërkoi nga ai që t’i respektojë deputetët.

“A ka mundësi, këtu jeni para deputetëve dhe duke raportuar, mos me qeshë. Me pas respekt. Siç ju respektuam ne juve. Respekt të ndërsjellët”, tha ajo.

E deputeti Haxhi Avdyli e pyeti biznesmenin nga Peja për Adem Grabovcin  dhe “tharjen e fytit”, shprehje që Grabovci e thotë në një përgjim telefonik nv aferën ‘Pronto’, ndërsa Devolli ka mohuar se e njeh Grabovcin, kurse për Isa Mustafën tha se e njeh nga televizioni.

Avdyli e pyeti se a e di se 2500 punëtorëve të Telekomit iu rrezikohet vendi i punës, për këtë kontratë. Devolli u përgjigj se është problem menaxherial i Telekomit.

Bekim Haxhiu i PDK-së, e pyeti Devollin se nëse ka pi Coca Cola  me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“A keni pi Coca Cola me Shpend Ahmetin?”, ishte pyetja e Haxhiut.

Devolli nuk është përgjigjur në pyetjen e deputetit, as duke e mohuar e as pohuar takimin me kryetarin e PSD-së dhe të Prishtinës.

E Milaim Zeka u shpreh i pakënaqur me pyetjet e deputetëve të komisionit që ia drejtuar Blerim Devollit, ndërsa për të gjitha këto pyetje Zeka i tha që të ‘mos frikësohet’.

“90 përqind të pyetjeve t’i kemi bërë pse e ke maru shtëpinë me gjashtë dhoma e me shtatë, pse me dy prej dritaren kry pse anej, u vërejte në mesin e pyetjeve sesi kur jemi në fushatë elektorale e po dojmë me fitu vota”, tha Zeka.

Duke iu referuar pyetjeve të kolegëve për takimet e Devollit me liderë shtetëror Zeka tha që nuk e ka problem të takoj Blerim Devollin.

“Nuk e kam problem met taku ty kurdush, sepse përmua nuk je kriminel as kurgjo, por më vjen keq çfarë imazhi ne si deputet po krijojmë në opinon se ne nuk po bojka me u taku me të. Asnjë krim nuk e ka bërë Shpend Ahmeti që ka qenë në jahtin e Shkëlqim Devollit, dhe nesër me mardh mu Shkëlqimi bash deri në Sarandë shkoj më të”, tha Zeka.

E këshilltarët e Devollit prapë e nervozuan deputeten Haxhiu. Ajo tha se ata po tallën me deputetët e komisionit.

Haxhiu duke i pyetur këshilltarët e Devollit se a kanë punuar ndonjëherë në qeveri, ata filluan të qeshin.

Pas kësaj ajo i pyeti se a dëshirojnë të dalin jashtë. Ndërsa kritikoi edhe Visar Ymerin që si kryesues po i lejon ata të tallen me deputetët e komisionit.

Gjatë gjithë dëshmisë së tij, Blerim Devolli, u përgjigj shkurtimisht dhe pa dhënë shumë detaje. Në fillim të mbledhjes, ai kërkoi që dëshminë e tij ta japë pa praninë e mediave, gjë që komisioni nuk ia pranuan, ndërsa vetëm deputeti Milaim Zeka ishte ai që e përkrahi dëshirën e Devollit, por që nuk ishte i mjaftueshëm, pasi komisioni vendosi me 8 vota pro që mbledhja të mbahet në praninë e mediave.