“Via Ferrata” Rruga Që Do Të Sjellë Turistët Në Pejë

“Via Ferrata”, është projekti që qyteti i Pejës ka ndërtuar në masivin e madh shkëmbor në hyrje të Grykës së Rugovës.

Sipas alpinistëve dhe zyrtarëve të Komunës së Pejës, ky projekt do të ndihmojë zhvillimin e turizmit malor.

Në hapjen e kësaj rruge të rëndësishme turistike, mori pjesë edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, dhe zyrtarë të organizatave të ndryshme donatore, si dhe pjesëtarë të KFOR-it italian, të cilët më pas u ngjitën në shtegun e hekurt.

Sipas Virtyt Gacaferrit nga shoqata alpiniste “Marimangat e Pejës”, “Via Ferrata”, është një projekt i cili ka filluar në vitin 2013.

“’Via Ferrata’, është e lartë mbi 300 metra, ndërsa lartësia e cila ngjitesh me shkalla është rreth 100 metra, në përkthim i bjen shteg i hekurt i cili është një atraksion turistik, i cili ndoshta duket shumë i rrezikshëm dhe ngjallë shumë adrenalinë, por megjithatë është një gjë e cila mund të bëhet nga secili person i cili oshtë në gjendje normale fizike dhe nuk ka frikë prej lartësisë”, tha Gacaferri.

Gacaferri e ka vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Pejë.

“Këta njerëz që vijnë për “Via Ferrata”, kanë me shku në një restorant, kanë me dalë me shku me e pi një kafe dhe ne mendojmë që në të ardhmen nga tatimi i atyre bizneseve që kanë me fitu prej kësaj, kanë me ju kthy paret komunës drejtpërdrejt, po edhe ka me e rritë numrin e turistëve në përgjithësi. Ka me qenë një ofertë shumë ma e pasur sesa ajo që ka qenë përpara”, tha Gacaferi.

Sipas tij, vlera totale e projektit është rreth 30 mijë euro.

Stefan Butscher nga “Swiss Cooperation Office” që kontribuoi në këtë projekt me 4 mijë euro, u shpreh shumë i gëzuar që organizata e tij ka mundur të ndihmojë.

Si problem kryesor pas realizimit të këtij projekti nga alpinistët e Pejës është përmendur mungesa e një ure në kalimin e Lumbardhit të Pejës për të arritur deri te fillimi i shtegut “Via Ferrata”.

Por kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri tha se paratë për ndërtimin e kësaj ure janë të gatshme dhe se kjo urë mund të llogaritet si projekt i përfunduar.

Muhaxheri bashkë me të tjerët u ngjit shtegut të hekurt dhe e vlerësoi këtë udhëtim si eksperiencë të papërshkrueshme.

“Një eksperiencë e papërshkrueshme që besoj se shumica e turistëve të cilët kanë me e kalu këtë nuk kanë me e harru kurrë këtë vend”, u shpreh ai.

Por “Via Ferrata” nuk është një rrugë e re. Haki Lekaj nga Shoqata Alpiniste “Marimangat e Pejës” dhe njëri nga ata që kanë punuar në ndërtimin e këtij shtegu, tha se kjo rrugë fillimisht është përdorur në Luftën e Parë Botërore për të shpëtuar jetë.

Ai më tutje shpjegon edhe materialet e përdorura për ndërtimin e “Via Ferrata-s”

“Kryesisht punohet prej fijeve metalike dhe copave të metalit të ndryshme. Fijet metalike janë të gjitha të testuara dhe janë të punuara në mënyrën më të sigurt dhe janë të vendosura në mënyrën më të sigurt të mundshme. Është përdorë standardi më i lartë evropian i cili është krijuar nga SAT-i italian, kështu që siguria në këtë rrugë është shumë e madhe”, tha Lekaj

Ai tha se pas përfundimit të fazës së parë të këtij projekti, rreth 300 vizitorë kanë qenë në këtë shteg.

Sipas tij për një përjetim të tillë organizimi bëhet në grupe, ku grupet duhet të jenë jo më pak se 5 persona dhe jo më shumë se 10, ndërsa pagesa është 10 euro për person, ku përfshihen edhe pajisjet për ngjitje.