Vetura e Policisë e Parkuar në Vendin Ku Ndalohet Parkimi

KALLXO.com ka pranuar një fotografi nga qytetarët ku shihet e parkuar një veturë zyrtare e policisë në vendin e ndaluar për parkim.

Vetura e Policisë së Kosovës, siç shihet edhe nga fotografia është parkuar para një garazhe, në të cilën me të madhe janë vendosur shenjat e ndalim-parkimit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha, edhe pse i gatshëm për bashkëpunim, nuk mundi të na konfirmojë se cili zyrtar policor voziste këtë veturë dhe pse gjendej vetura e policisë në atë vend ku është i ndaluar parkimi.

“Nëse mund të na jepni datën e fotografisë dhe kohën, e gjejmë sipas listës së shoferëve që e ngasin automjetin,” tha Berisha.

Mirëpo, meqë fotografia është realizuar nga qytetarët, data dhe koha e saktë e realizimit të kësaj fotografie nuk dihet.

Megjithatë makina e zyrtarëve që duhet të kujdesen për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe respektimit të shenjave të komunikacionit, ka shkelur rregullat e trafikut.