Veteranët Kundër Speciales edhe Pas Takimit me Veselin

Pas më shumë se një orë e gjysmë takim me dyer të mbyllura, Kadri Veseli nuk arriti t’i bindë bashkëluftëtarët e tij që të jenë pro Gjykatës Speciale.

Shoqatat e dala nga lufta vazhdojnë ta kundërshtojnë krijimin e kësaj gjykate duke e cilësuar këtë si proces i cili po e njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por kryeparlamentari Veseli tha që u erdhi në konak bashkëluftëtarëve që t’i informojë mbi hapat që do të ndërmarrë kuvendi.

“I informova si bashkëluftëtar edhe për procesin të cilin do ta kemi të premten të daljes me një pikë të rendit të ditës, veçanërisht votimit të amendamenteve të Gjykatës Speciale të cilat kanë qëllim ndryshimet kushtetuese, të cilat do ti hapin rrugë procesit të lejimit të krijimit të Gjykatës Speciale nga institucionet vendore,” tha ai.

Xhavit Jashari – përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rikonfirmoi kundërshtimin e kësaj gjykate.

“E kundërshtojmë edhe krijimin e gjykatës, sepse kështu po vazhdon pafundësisht njollosja, ndjekja, përndjekja e luftëtarëve të lirisë me qëllime politike,” tha jashari.

Ngjashëm foli edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve Smajl Elezi.

“Ne jemi të bindur që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk ka nevojë të pastrohet nga askush. Pa marrë parasysh qëndrimin çfarë e mbajnë deputetët dhe politika, ne si organizata të dala nga lufta jemi kundër çdo lloj gjykate që tenton të vijë në Kosovë dhe të  thirret në atë që dëshirojnë ta pastrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,” tha ai.

Por, i pari i kuvendit megjithatë shprehu bindjen që Specialja do të votohet.

“Do ta votojmë Gjykatën Speciale për t’i thanë jo mjegullave ndaj shtetësisë së Republikës së Kosovës, për t’ju thanë jo atyre që ia donë të keqen Kosovës,” deklaroi Veseli.

OVL e UÇK-së pritet që ditët në vazhdim të deklarohet nëse do të jetë në protestë gjatë ditës së votimit të Speciales. Kjo Gjykatë, bashkë me amendamentet kushtetuese pritet të votohet në seancën e së premtes.

Veteranët e UÇK-së protestuan kundër Speciales në maj dhe qershor.

Të martën opozita paralajmëroi se nuk do të marrë fare pjesë në seancën ku do të votohen ndryshimet kushtetuese për Specialen.