Veseli Lavdëron Fushë Kosovën dhe Kritikon Prishtinën

Takimi me dyer të mbyllura zgjati rreth një orë. Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, pas përfundimit të takimit dolën dhe folën shkurt për atë kishin biseduar në zyrë. Veseli lavdoi Fushë Kosovën, por fjalë jo fort të mira pati për Prishtinën.

“Kryetari i komunës së Fushë Kosovës e ka edhe nji fat, e ka nji fat të madh për arsye që i ka kojshinë e mirë dhe derisa kojshitë e mirë atje i kanë blloku në çdo zhvillim, Fushë Kosova po e shfrytëzon ekspansion të zhvillimit të vet ekonomik për arsye që në komunën e saj punojnë me mijëra qytetarë të Kosovës, punëtor në kantierin e ndërtimit, të gjitha lokalet afariste kanë më shumë punë edhe kjo është një fat derisa nuk lëviz Prishtina, kryetari i ka punët mirë”, tha Veseli pa e fshehur ironinë.

Ndërsa kryetari i kësaj komune, Burim Berisha, theksoi dy ligje të cilat sipas tij janë pengesë e zhvillimit ekonomik.

“Ne diskutuam për çështje të ndryshme mes tjerash edhe për procedimin e ligjeve të caktuara që janë me interes për komunën. Një prej tyre është edhe ligji për menaxhimin e pronave dhe vetëqeverisjen lokale, që mendojmë se janë konsumuar shumë dhe po na pengojnë neve si komunë për të zhvilluar dhe implementuar zhvillimin ekonomik”, tha Berisha.

I pari i Kuvendit tha se pa komuna të zhvilluara nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik në nivel kombëtar, ndërsa shtoi që do të ketë bashkëpunim në mënyrë që t’ua thjeshtojnë komunave procedurat me përmirësime ligjore, sidomos në fushën e tërheqjes së investitorëve.

Më pas Veseli vazhdoi takimet me kryetarët e komunave në Drenas dhe Skënderaj.