Vdes Një Person Nga Konflikti në Skënderaj

Një person i moshës rreth 30 vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e konfliktit të sotëm në Skënderaj.

Mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente të QKUK-së në Prishtinë, Ejup Govori, konfirmoi për KALLXO.com se viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë plumbave që kishte marrë sot në mëngjes në regjionin e kokës.

Govori tha se një tjetër i plagosur është aktualisht në sallën e operacionit, me lëndime të rënda trupor përderisa personi i tretë i lënduar ka marrë një plumb në krah dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Të njëjtën gjë e tha edhe zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu.

“Njëri ka vdekur, njëri është ende në sallë të operacionit, e tjetri jashtë rrezikut për jetë,” deklaroi Fazliu.

Për rastin e vrasjes dhe plagosjeve në Skenderaj njoftoi edhe Policia Rajonale e Mitrovicës me anë të një komunikate.

Nga hetimet e para dyshohet se veprës penale t’i ketë paraprirë një zënkë në mes të dy palëve, viktimës dhe të dyshuarit, M. A., të cilët në momentin kritik ushtronin veprimtarinë e transportit të udhëtarëve, ku pas një zënke për çështje të nisjeve, linjave të transportit të këtyre dy kompanive transportuese të ketë ardhur deri te vepra penale e “vrasjes së rëndë,” thuhet në komunikatë.

Policia, sipas komunikatës, ka bastisur shtëpitë e palëve të përfshira në konflikt, duke arrestuar edhe dy persona dhe konfiskuar dy pistoleta.

Për këtë rast policia ka ndaluar personin me inicialet A.F., si të dyshuar për vrasje në tentativë, derisa në QKUK po mbahet nën masa sigurie i plagosuri me inicialet M.A., i dyshuar për vrasje të rëndë.

A. L., i dyshuari për armëmbajtje pa leje është liruar me procedurë të rregullt. Policia në cilësi të provave materiale ka gjetur tetë gëzhoja.

Plagosje në Skenderaj, Shkaku Dyshohet Një Konflikt Për Linjat e Autobusëve

11:17

Tre persona janë plagosur në Skenderaj të hënën në orët e para të mëngjesit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Tre personat e plagosur gjenden në QKUK në Prishtinë për trajtim dhe gjendja e tyre shëndetësore thuhet të jetë e rëndë. Ngjarja ka ndodhur pas orës 8:00 në mëngjes afër stacionit të autobusëve”, deklaroi Zahiti.

Ai tha se policia është në vendin e ngjarjes dhe janë në pritje të prokurorit ndërsa nuk dha ndonjë shpjegim se cili është motivi i këtij rasti.

“Ende është herët të flitet për motivin e kësaj ngjarje”, tha Zahiti.

KALLXO.com merr vesh jo zyrtarisht se tre të plagosurit janë pronarë të dy autobusëve dhe dyshohet se deri te konflikti ka ardhur si shkak i linjave rrugore.