Vazhdon Përballja e Turkoviqit me Mbrojtjen e Naser Kelmendit

Edhe sot në gjykimin e Naser Kelmendit vazhdoi dëshminë e saj shtetasja boshnjake Sheila Turkoviq.

Ajo iu përgjigjet pyetjeve të Besnik Berishës, avokatit të Naser Kelmendit.

Berisha e pyeti dëshmitaren rreth disa artikujve të saj të botuar në Gazetën “Ekspres” të Bosnjës,për të cilët dëshmitarja tha se janë shlyer, mirëpo mbrojtja ne seancë ofroi një dokument sipas të cilit ata artikuj nuk janë shlyer.

Turkoviq punonte në mediat e Fahrudin Radonçiqit, i cili tash është kthyer në politikan.

Dëshmitarja u shqetësua shumë kur avokati Besnik Berisha mbrojtës i të akuzuarit Kelmendi e pyeti se a ka postuar në Facebook gjëra që kishin lidhje me Radonçiqin.

Dëshmitarja tha se që tre muaj nuk e ka hapur këtë faqen e saj të Facebook-ut, ndërsa ajo është private.

Kryetarja e trupit gjykues pasi i mori fjalëkalimin dëshmitares, erdhi në përfundim se faqja e Turkoviqit është publike.

Dëshmitarja pastaj iu drejtua me fjalë avokatit Besnik Berisha.

“Po me bëni të ndihem jo rahat, së pari kur ju e dini sa orë jam unë nën mbrojtjen e policisë dhe së dyti kur thoni se profili im është publik,” tha Turkoviq.

Ne pjesën e dyte te seancës u diskutua edhe për vrasjen e Ramiz Delalliqit, po ashtu dëshmitarja u pyet edhe për bombat te cilat janë vendosur ne shtëpinë e tij.

Delalliq qe vrarë në vitin 29007 në Sarajevë nga një breshëri plumbash.

Sipas dëshmitares, Radonçiq, Kelmendi dhe familja e te vrarit Server Lekiq kanë akuzuar Delalliqin për vrasjen e Lekiqit, sepse sipas tyre ai e ka sjellë  të njëjtin në restorantin ku është vrarë.

Po ashtu dëshmitarja deklaroi se Radonçiq e ka krijuar krejt ketë perandori duke u bazuar ne ndihmën e Kelmendit, mirëpo tash kjo perandori është duke rënë pasi që nuk është Kelmendi.

Kelmendi ka edhe shtetësi boshnjake dhe akuzë të ngritur në këtë shtet, por pasi Bosnja nuk ka njohur Kosovën, mes këtyre dy vendeve nuk ka marrëveshje ekstradimi, prandaj Kelmendi po gjykohet në Kosovë me akuza të ngjashme si ato në Bosnjë.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Akuzat ndaj tij edhe në Kosovë janë të ngjashme.

Kelmendi ngarkohet për krim të organizuar, vrasje të rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike