Ushtarët Serbë të Bosnjës Dënohen për Përdhunimin e një Adoleshenteje

Ish-ushtarët e Ushtrisë Serbe të Bosnjes Bosiljko dhe Ostoja Markoviq u dënuan për përdhunimin e një 14-vjeçareje në zonën e Kotor Varoshit në vitin 1992, një vendim që mund të ndihmojë të tjera viktima të krimeve të luftës të fitojnë kompensim.

Gjykata në Sarajevë ditën e mërkurë dënoi dy burra, të dy ish-anëtarë të Brigadës së Kotor Varoshit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës me nga dhjetë vjet burg secilin për pjesëmarrje në përdhunimin e një adoleshenteje.

Ata janë urdhëruar gjithashtu t’i paguajnë 26,500 marka boshnjake (rreth 13,500 euro) viktimës për ankthin që i shkaktuan.

Aktakuza pretendonte se dy burrat shkuan në fshatin Orahova pranë Kotor Varoshit në veriperëndim të Bosnjës mbrëmjen e 28 qershorit 1992 dhe e morën vajzën adoleshente nga shtëpia e familjes së saj me pretekstin se ajo do të lirohej si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish.

“Pas kësaj, duke e kërcënuar viktimën me thikë dhe armë zjarri, me radhë dhe vazhdimisht ata kryen përdhunim dhe abuzimi seksual, i cili zgjati për rreth tri orë,” tha prokuroria vitin e kaluar kur u ngrit edhe aktakuza.

Shoqata TRIAL tha se vendimi i gjykatës për të caktuar kompensimin mund të krijojë një precedent.

“Ky është një çast i rëndësishëm si për viktimën e krimit të luftës, të cilës do t’i paguhet kompensimi, ashtu edhe për të gjitha viktimat e tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajon, të cilat tani mund të shpresojnë se ky precedent do të hapë rrugën që ata të plotësojnë të drejtat e tyre për kompensim nëpërmjet ndjekjeve penale,” tha Adrijana Hanusiq, këshilltarja ligjore e TRIAL-it në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas TRIAL-it, para këtij vendimi asnjë viktimë dhune seksuale apo ndonjë krimi tjetër lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka marrë kompensim nëpërmjet ndjekjes penale për dëmin që ata kanë pësuar, pavarësisht së drejtës së tyre për ta pasur atë.

 

Vendimi mund të apelohet.