USAID Jep 8.5 Milionë Dollarë për të Drejtat Pronësore dhe Kërkon Rezultate

Në prezantimin e strategjisë për të drejtat pronësore në Kosovë, ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se qeveria e vendit do të merret me çështje civile të cilat i takojnë çdo qytetari të Kosovës.

Strategjia e prezantuar në bashkëpunim me USAID-in që synon ta ndihmojë Kosovën për një koordinim më të mirë të përcaktimit të politikave me prioritet në fushën e të drejtave pronësore, në përmirësimin e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me konteste gjyqësore, në rritjen e mundësive që gratë të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe në qasje më të mirë në informata dhe të kuptuarit e të drejtave pronësore.

“Në takimin e parë si Ministër i Drejtësisë me drejtorin e USAID-it i kemi shprehur orientimet tona si Ministri dhe jemi përafruar që në këtë mandat të merremi me çështjet civile deri në hartimin final të kodit civil të Republikës së Kosovës” u shpreh Ministri Kuçi.

Ai tha se qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë një kornizë të mirë ligjore dhe do të kenë një mbrojtje të plotë për pronën dhe të drejtat e tyre.

“Do të tentojmë dhe do të punojmë që të kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësi”, u shpreh Kuçi.

Sipas tij, gratë do të kenë të drejta pronësore të barabarta me meshkujt.

Nga ana tjetër Justin Holl nga USAID tha se ka disa projekte që përkrahin zhvillimin e të drejtës pronësore në Kosovë duke i dhënë theks projektit për kadastrat dhe programin e teknologjisë informative në këtë fushë.

USAID ka ndarë 8.5 milionë dollarë për zbatimin e programit për të drejtat pronësore, ndërsa Holl kërkoi rezultate të qarta në fund të projektit.

“Koordinimi nënkupton që së bashku të vëmë rregull dhe të organizojmë sistemin e aktiviteteve që të zhvillojmë resurset e vendit dhe ti përdorim ato më së miri” u shpreh Holl.

Programi i USAID-it për të drejtat pronësore është aktivitet katër vjeçar që synon t’i adresojë sfidat e të drejtave pronësore dhe ta zhvillojë një plan për të stabilizuar regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë.