UP-ja Harron një T te Emri i Hasan Prishtinës në Mirënjohjen “Student i Dalluar”

Në Mirënjohjen “Student i Dalluar” që iu dha të hënën Erëmira Halimit nga rektori Ramadan Zejnullahu, pas raportimit në KALLXO.com për padrejtësinë e bërë ndaj saj, UP-ja ka harruar shkronjën t në emrin e Hasan Prishtinës, duke e shkruar Hasan Prishina.

Universiteti i Prishtinës edhe pse përmirësoi një gabim duke ia dhënë studentes së Fakultetit Juridik Erëmira Halimit Mirënjohjen “Student i Dalluar”, tri ditë pasi një mirënjohje e tillë iu nda 28 studentëve, lëshoi një gabim tjetër në vetë këtë mirënjohje.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishina’” është shkruar në krye të mirënjohjes, duke u harruar një “t” në emrin e Hasan Prishtinës.

Të premten KALLXO.com-i raportoi se ndarja e mirënjohjes për Erëmira Halimin ishte anuluar pasi që ajo kishte marrë një thirrje nga ushtruesja e detyrës së dekanes së Fakultetit Juridik, Gjylijeta Mushkolaj.

Ajo ishte refuzuar sado që kishte notën mesatare 9.76, ndërsa pretendonte se një studente tjetër e kishte marrë këtë mirënjohje me mesatare më të ulët.

Më pas rektori Zejnullahu kishte vendosur që studentes nga Gjilani t’ia japë mirënjohjen e merituar, me arsyetimin se Dekanati i Fakultetit Juridik i ka dhënë propozimet, andaj atje janë bërë lëshimet.